Tiranë, 20 gusht, NOA – Pas deklaratave të selisë rozë për korrupsionin dhe aferat korruptive ku janë përfshirë emra të mazhorancës, Partia Demokratike reagon sërish ndaj betonizimit të Tiranës, dhe pikërisht sa i përket Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës.
Deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku deklaroi pak më parë se “kryebashkiaku Rama po kërkon të betonizojë edhe të vetmen sipërfaqe të gjelbër të mbetur në kryeqytet, pikërisht pranë Liqenit Artificial”.
Në këtë kontekst, deputetja Rajmonda Bulku i ka bërë thirrje kryeministrit Berisha të ndalojë masakrën e Ramës, që sipas saj, po i shkatërron kryeqytetit edhe të vetmen mundësi për të marrë frymë, përtej ndërtesave që kanë mbirë si kërpudha anekënd qendrës duke i zënë frymën tërë Tiranës.
Ashtu sikundër deklaroi një ditë më parë deputeti Florion Mima, edhe deputetja Bulku, nënvizoi se 90 përqind e ndërtimeve në zonën pranë Liqenit Artificial të Tiranës, janë ngritur nga klani i Ramës.
mit/NOA