English

Prifti inspekton HEC-in e Bistricës, zonat turistike pa mungesë të furnizimit me energji

Sarandë, 20 gusht, NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti vizitoi sot Hidrocentralin e Bistricës, në Sarandë, dhe inspektoi nga afër investimet e kryera në këtë HEC, me synimin për të furnizuar me energji elektrike zonat turistike.

Ministri Prifti falënderoi sakaq punonjësit e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, të cilët në këtë periudhë po punojnë me orare të zgjatura, për t’i shërbyer sa më mirë zonave turistike për furnizimin e tyre me energji elektrike.

Por, ministri Prifti është ndalur edhe tek turizmi, dhe duke qenë se në Sarandë në këtë periudhë ka një fluks turistësh, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës u shpreh se, “operatorëve të turizmit nuk u ka munguar energjia elektrike në ushtrimin e aktivitetit të tyre ekonomik”.

Sipas zotit Prifti, sa i përket Hidrocentralit të Bistricës, ai nuk paraqet probleme me përmbytjet, dhe prurjet në këtë HEC janë të kontrolluara.

Vetëm pak ditë më parë, ministri Prifti në një konferencë për shtyp, konfirmoi se ka një rritje të kërkesave të investitorëve për të investuar në fushën e prodhimit të energjive të rinovueshme, që me ç’pritet do të mundësojë edhe furnizimin me energji elektrike pa shumë harxhime.

mit/NOA
KOMENTE