Tiranë, 20 gusht, NOA – “Djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual”. Kështu ka deklaruar sot në konferencën e tij të parë për shtyp me gazetarët pas kthimit nga pushimet, lideri i opozitës, Edi Rama.
I pyetur nga gazetarët se ç’vendim do të marrë opozita, në rast se fletët e votimit digjen pas shpalljes së datës së zgjedhjeve vendore nga Presidenti, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se “Kjo nuk është një çështje ekspertësh, por është një çështje e thjeshtë e të drejtës kushtetuese për të cilën kemi folur, rifolur dhe do të vazhdojmë të flasim pa u lodhur, duke nënvizuar faktin e thjeshtë se djegia e fletëve të votimit do të ishte hedhja në erë e çdo ure komunikimi me pushtetin aktual, për çfarëdo arsye dhe në çfarëdo rrethane”.
Në këtë kontekst, lideri Rama theksoi se djegia e fletëve do ta thellonte në mënyrë eksponenciale krizën politike në vend.
I pyetur mbi situatën politike në vend dhe propozimet e reja të PS-së për zgjidhjen e saj në shtator, shefi i opozitës, tha se “Qëndrimi i PS-së lidhur me këtë çështje është publik, s’kam asgjë për të shtuar lidhur me këtë”, duke lënë në fuqi pikërisht kërkesat e opozitës për komisionin hetimor dhe mbi të gjitha transparencën e kutive të votimit, gjithashtu dhe mosdjegien e fletëve të votimit.
Por, kreu i Partisë Socialiste është shprehur edhe për aksidentin e Himarës, ku gjeti vdekjen mëse një javë më parë i shtypur nga një makinë, 35 vjeçari nga Himara, Aristidh Guma.
Shefi i PS-së, nënvizoi se Partia e tij i qëndron parimit të besnikërisë ndaj të vërtetës, duke theksuar se PS, nuk politizon ngjarjen duke rënë ndesh me të vërtetën faktike.
“Dua të them me këtë që ne nuk politizojmë dhe nuk abuzojmë me asnjë çështje ku e vërteta është gjëja më e rëndësishme dhe ku pa dalë e vërteta çdo gjë tjetër nuk është gjë tjetër veçse tym, që pengon nxjerrjen e së vërtetës qetësisht. Të gjithë atyre të cilët guxojnë ta tregojnë PS-në si të pavendosur në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me shprehje të mëdha, ose simbolike të interesit kombëtar, unë u kujtoj se është vetëm falë kurajos së PS-së, që sot Shqipëria nuk e ka humbur një copë të territorit të saj”, theksoi zoti Rama.
Sipas tij, “Kur ishte momenti për të mbrojtur interesin kombëtar, ne treguam se për ne interesi kombëtar është i shenjtë dhe se ai mbrohet me forcën e vullnetit dhe me kurajon e veprimit. Patriotizmi është ai që i çon kombet dhe vendet përpara, dhe është falë tij që kombet dhe vendet përparojnë”, shtoi kryesocialisti për këtë çështje.
Por, shefi i opozitës, njëherësh kryetari i Bashkisë së Tiranës, për tre mandate rresht është pyetur edhe për një rikandidim të mundshëm të tij, për të katërtën herë, në zgjedhjet e ardhshme vendore, që do të mbahen në fundpranverën e 2011-ës.
“Është një çështje që nuk është e ditës, aq më tepër, që nuk jemi në fillimin e plotë të sezonit të ri politik, jemi në prag të tij”, tha Rama.
Kryesocialisti nënvizoi se “gjendja e ekonomisë dhe ekonomia sot është thlebësore në këtë moment politik, si shprehje e krizës së qeverisjes. Sigurisht pa asnjë dyshim si degradim i një procesi politik, i cili është tjetërsuar tërësisht pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ku pasi u vodhën votat, u hap një fazë e panjohur më parë e korruptimit të të gjithë sistemit të organizmit shtetëror dhe e përshkallëzimit të korrupsionit si babëzi dhe përfitim i paskrupullt në dëm të interesit publik”, u përgjegj lideri i opozitës, Edi Rama.
mit/NOA