Tiranë, 20 gusht, NOA – Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është shprehur sot se kriza e qeverisjes po sjellë dhe rrëznimin e ekonomisë së vendit, duke e cilësuar situatën si alarmante.
Në bashkëbisedimin e sotëm me gazetarët, Rama ju referua rasteve të denoncimit të korrupsionit nga mazhoranca duke e quajtur korrupsionin si palca e qeverisjes. Ai është ndalur në denoncimet e fundit që ka bërë PS-ja për zyrtarët e mazhorancës.
“Kriza e qeverisjes është gjenerator i një ekonomie në rrënim. Korrupsioni që po shpërfaqet përmes provash dhe faktesh të përditshme në sytë e gjithë shqiptarëve si substanca e gjithë kësaj krize qeverisëse, si palca e qeverisjes”, tha Rama.
Ai u shpreh se është tronditëse që një ministër pasurohet me 1.5 milionë euro në vit dhe kryeministri nuk flet.
Më tej Rama u ndal në krizën ekonomike duke e cilësuar atë si dërrmuese për qytetarët. “Bilanci i përgjithshëm i gjendjes ekonomike flet në çdo shifër. Rrija ekonomike e pretenduar në vitet e fundit rezulton, por sipas shifrave kundërshtuese të ketë qenë fiktive. Edhe rritja reale ka qenë një rritje ekonomike pa zhvillim ekonomike dhe pa punësim”, tha Rama.
a.k/NOA