Shkup, 20 gusht, NOA - Shqiptarët diskriminohen edhe kur vdesin në Maqedoni. Pasi është bërë ceremonia e varrimit, nëse familja nuk ka paguar taksat ambientit, familjarëve u mohohet varrimi i të ndjerit dhe autoritet vazhdojë procedurat, të cilat mund të arrijnë edhe gjoba deri më pesë mijë euro.
Dukuria e fenomenit të mosvarrimit nëse nuk paguhen borxhet kanë vazhduar edhe gjatë kësaj jave në Kumanovë.Nëse një familje nuk paguan taksën ndaj Nërrmarrjes së Pastrimi dhe Gjelbërimit, i vdekuri nuk mund të varroset.
Ky vendim i kësaj ndërmarrje po shkakton irritim dhe shqetësim në mesin e banorëve të Kumanovës.
Dhe ky nuk është rasti i parë. Brenda dy muajve janë evidentuar dy raste.
Agron Ibrahimi 30 vjeç nga Kumanova tregon se gjatë së martës pasi i kishte vdekur babai i tij, Ismet Ibrahimi në moshën 59 vjecare, i cili nuk kishte paguar një pjesë të borxheve të mbeturinave, nuk ka arritur të marrë leje për të varrosur atë.
“Babai im më vdiq të martën në mëngjes dhe kur kam shkuar ta lajmëroj rastin në NP “Pastrimi dhe Gjelbërimi”, më thanë se duhet të paguaj patjetër borxhin që kishim ndaj tyre. Duke qene se jemi gjashtë fëmijë dhe babai im ishte rast social me 1 mijë e 800 denarë mezi arritëm të grumbullojmë 12 mijë denarë nga 50 mijë sa kishim borxh”, thotë, Agron Ibrahimi nga Kumanova.
Ai më tej rrëfen se pagoi punën e varrimit që kushton 1500 denarë dhe tatimet tjera te Bashkësia Islame i kishte paguar.
“Pasi arritëm marrëveshje për të paguar një pjesë të borxhit dhe tjetrën me këste si punën e varrit dhe për të marrë lejen për varrosje nga NP “Pastrimi dhe Gjelbërimi”, dhe deri sa jemi bërë gati për të shkuar të varrezat ortodokse për të marrë lejen, vet i kam dëgjuar autoritet e ndërmarrjes duke i thënë në telefon që të mos më jepet leja nëse nuk paguaj edhe 10 mijë denarë të tjera”, shprehet i habitur Agron Ibrahimi.
Ibrahimi thotë se ka kërkuar ndihmë në Myftininë e Bashkësisë Islame në Kumanovë, të cilët kanë reaguar.
“Vendimi i NP ”Pastrimi dhe Gjelbërimi” është i pabazë dhe nuk ka sesi kjo ndërmarrje që e lidh punën e varrimit me borxhet e mbeturinave. Pagesa e borxhit prej 1500 denarë është bërë dhe varrimi do të bëhet me çdo kusht dhe pastaj le të vijnë nga ndërmarrja publike e le ta nxjerrin“, ka thënë në vendin e varrezave”, Abedin Imeri, myfti i Bashkësisë Islame në Kumanovë.
Ai më tej ka thënë se NP “Pastrimi dhe Gjelbërimi” ka mekanizma tjerë për të nxjerrë borxhet dhe jo përmes varrimit të njerëzve. Ne do të reagojmë njëherë e përgjithmonë që ky problem të zgjidhet.
Varrmihësi dhe përgjegjësi për varrezat e shqiptarëve myslimanë Fatmir Ramadani thotë se kohëve të fundit ka shumë probleme sa u përket varrezave.
“Kohëve të fundit ka shumë probleme. Pa leje për varrosje nga NP “Pastrimi dhe Gjelbërimi”nuk kemi të drejtë të bëjmë varrimin e njerëzve. Kemi urdhër nga ndërmarrja. Unë edhe mund të humb vendin e punës por nuk mund t’i dalë popullit përpara për të ndalë një ceremoni mortore”, thotë Fatmir Ramadani, inkasant dhe punëtor te ndërmarrja publike.
Sadulla Abdullai, referent pranë Myftinisë së Kumanovës ka thënë se kanë reaguar edhe në NP “Pastrimi dhe Gjelbërimi”, por se autoritetet e ndërmarrjes kanë ikur nga përgjegjësia duke ia hedhur fajin varrmhihësit shqiptar se gjoja ai është përgjegjës për varrezat e shqiptarëve myslimanë.
NOA/INA