English

22 fëmijë të policëve të rënë në detyrë, pushuan këtë verë në Greqi

Athinë, 21 gusht, NOA – Pushimet verore të këtij viti kanë qenë të veçanta për 22 fëmijë, baballarët e të cilëve, punonjës të Policisë së Shtetit, kanë rëndë në krye të detyrës.

Në kuadër të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke, gjatë këtij sezoni veror, 22 fëmijë të punonjësve të policisë kanë shkuar për pushime në Greqi.

Sipas drejtorisë së Policisë së Shtetit, ftesa për këto pushime u bë nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë Greke, Eleftherios Ikonomu.

22 fëmijët shqiptarë i kaluan pushimet në kampin e fëmijëve për Policinë Greke, i cili ndodhet në Athinë, pranë në zonës Ajio Andreas, në periferinë e Atikisë.

Të 22 fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në krye të detyrës, ishin të moshës 9-15 vjeç.

Ata pushuan për mëse 15 ditë pushime në këtë kamp grek, në tri periudha të ndryshme kohore, përkatësisht nga 22 qershori deri në 10 korrik; nga 13 korriku deri në 30 korrik dhe nga 3 gushti deri në 20 gusht.

Gjatë ditëve të qëndrimit në kampin grek bashkë me fëmijët e policëve grekë, fëmijët patën mundësi të zhvillojnë aktivitete të ndryshme argëtuese.

Në ditët e para të muajit korrik, ishte në Athinë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, gjatë vizitës së tij zyrtare dhe i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Greke, Eleftherios Ikonomu, zoti Burgaj pa nga afër kampin e pushimit të fëmijëve të policëve grekë, ku po pushojnë edhe fëmijët e policëve shqiptarë, të rënë në krye të detyrës.

mit/NOA
KOMENTE