English

A është Shqipëria, anëtare e NATO-s?!

Komunarët prizrenas nuk e konsiderojnë Shqipërinë si anëtare të NATO-s?!

Nga Adnan Abrashi

Në shikim të parë, titulli i këtij artikulli, logjikisht, mund të na duket si i çuditshëm, qesharak, e, mbi të gjitha, naiv dhe banal, ama, nëse flasim ashtu sikur na shohin sytë, atëherë, ky konstatim na del plotësisht i saktë.

Për çka është fjala, në të vërtetë?

Pas Brukselit, më duket se Prizreni është qyteti i dytë në Evropë, i cili, në njërin prej shesheve të veta më kryesore, ka përmendore monumentale kushtuar NATO-s, aleancës më të madhe dhe më të fuqishme ushtarake në botë. Ky monument është përurua sivjet dhe gjendet në pjesën më të frekuentuar të qytetit. “Te rrethi”, siç orientohen prizrenasit, rruga në dalje të qytetit, në drejtim për Prishtinë. Po të kalosh pranë saj, do të vëresh se, ajo, përpos si përmendore dedikuese që simbolikisht shpreh kujtesën, respektin dhe falënderimin tonë të përhershëm ndaj kontributit të madh të kësaj aleance për çlirimin e Kosovës, e ndërtuar me një arkitekturë të qëlluar, si e tillë, edhe më shumë e zbukuron dhe hijeshon atë pjesë të qytetit.

Përmendorja në fjalë, është e projektuar kryesisht si hapësirë e gjelbëruar me hartën e madhe të Kosovës prej betoni në mes, mbi të cilën nga metali ngrihet lart simboli i madh i NATO-s, ndërsa, përballë saj, gjenden shtizat ku janë të vendosura të gjitha flamujt e shteteve anëtare të kësaj aleance ushtarake. Apo, thënë edhe më saktësisht, duhet të ishin të vendosura të gjitha flamujt e shteteve anëtare, sepse, faktikisht dhe fatkeqësisht, aty mungon flamuri i një shteti anëtare - Shqipërisë!

Meqë, mua më bie të kaloj disa herë në ditë pranë këtij monumenti, fillimisht mendoja se kjo mungesë e rastit mund të jetë si pasojë e ndonjë lëshim teknik – formal dhe se shpejt do të evitohet nga kompetentët komunal prizrenas. Por, me kohë, gradualisht bindesha se nuk ishte ashtu. Kaluan më shumë se një muaj, dhe, sot e kësaj dite, as që i bie ndër mentë ndokujt që ta përmirësoj këtë lëshim. Ata sillen kështu, ndoshta mu pse në këtë rast është në pyetje mungesa e flamurit të Shqipërisë (për mua i shqiptarëve). Po të ishte fjala për flamurin e ndonjë shteti tjetër, zëvendësimin e kishin bërë brenda nate. I kam këto dyshime në vete, sepse jam i bindur se vërtet këta politikanë tanë lokal janë shumë të ndjeshëm ndaj flamujve të shteteve tjera. Këtë “virtyt” të tyre ” internacionaliste”, ata e treguan edhe më 10 qershor të këtij viti, kur nga policia lokale e Prizrenit me ngulm kërkuan që t’i burgos disa të rijnë të lëvizja “Vetëvendosje”, të cilët, për nder të 10 Qershorit, përvjetorit të LSHP, nga shtyllat e qytetit, kishin hequr flamuj të shteteve tjera. Shteteve tona mike, siç thonë ata.

Një ditë, një shitës i lokalit pranë përmendores, më tha në shaka: në fillim, kur më 12 qershor të këtij viti, u promovua ky monument, aty ka qenë flamuri i Shqipërisë. Për këtë mund ta pyetni edhe Hashim Thaçi i cili atë ditë ishte në prerjen e shiritit. Por, nëse saktësisht dëshironi ta dini të vërtetën, po ju tregoj. Atë rrugës e ka vjedh një dasmor, të cilit, ju kishte kërcënuar miku se nuk do t’ia jap nusen nëse vjen me e marr me flamurin e Kosovës?!

A është bërë kjo punë me qëllim apo pa qëllim nga dikush, t’ ju them sinqerisht, nuk e di. Edhe unë si të tjerët vetëm mund të paragjykoj. Por, le të më thotë dikush që sado pak është shqiptar (apo kosovar), se si ishte ndjerë, nëse, ta zëmë, tek monumenti i NATO-s në Bruksel, pranë gjithë flamujve të eksponuar të shteteve tjera (anëtare të NATO-s), nuk do ta vërente aty flamurin e Shqipërisë?!!

Se si e kishin përjetuar emocionalisht të tjerët këtë moment, nuk jam i sigurt, por, se si në atë çast ishte ndjerë një burokrat komunal prizrenas, e di shumë mirë: Indiferent! Sepse, sigurisht nuk e kishte vërejtur fare se aty mungon flamuri i Shqipërisë. Logjikisht, kjo nënkuptohet vetvetiu. Si mund ta diktoj këtë mangësi ky politikan i yni babaxhan komunal në Bruksel, kur, së pari, atë, nuk e vëren në qytetin e vet…?!!

(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet e shprehura janë personale

KOMENTE