Janinë, (Greqi), 21 gusht, NOA – Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Janinë të Greqisë, në afërsi të Kakavijës. Tre persona kanë vdekur si pasojë e përplasjes së dy makinave.
Dy nga viktimat e identifikuar janë Drita Bezati dhe Vasil Bezati, ndërkohë që emri i personit të tretë që ka humbur jetën nuk është bërë i ditur ende nga policia. Raportohet se ai është drejtuesi i makinës.
Nuk dihen ende shkaqet që kanë sjellë aksidentin. Paraprakisht, bëhet e ditur se viktimat kanë qenë duke udhëtuar me një makinë tip “Toyota” e cila është përplasur me një makinë tjetër model “Peugeot”, raporton korrespondenti i Agjencisë NOA.
Aksidenti ka ndodhur në orën 07.15 në vendin e quajtur Kroi i Pashait pranë lokalitetit Kalpaki. Veç tre viktimave që kanë humbur jetën, nga aksidenti kanë mbetur dhe tre persona të plagosur.
Dy fëmijë që udhëtonin në makinën “Peugeot” dhe Valentina Bezati, gjendeshin në makinën që është dëmtuar më shumë nga aksidenti.
Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Janinës ku mjekët thanë se gjendja e njërit prej tyre mbetet kritike.
a.k/NOA