Tiranë, 21 gusht, NOA – Në një lumë deklaratash e kundërdeklaratash Bashkia e Tiranës reagon duke deklaruar se deputetja Albana Vokshi tashmë i është shtuar listës së gjatë të të paditurve penalë e civilë, nga Bashkia e kryeqytetit për shpifje ndaj kryebashkiakut Edi Rama.
Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës, Florion Serjani duke iu referuar një shprehjeje të njohur popullore, deklaroi se “Hajduti bërtet kapni hajdutin”, thotë populli, ndërkohë që ky popull është përditë e më syhapur për të parë atë, që fshihet pas akuzave bajate që të akuzuarit në pushtet ngrenë ndaj Bashkisë së Tiranës, sa herë dalin në shesh të palarat e korrupsionit të tyre”, theksoi Serjani.
Sipas tij, Bashkia e kryeqytetit përbaltet sa herë që kundërshtarët e Edi Ramës duan të shmangin vëmendjen e publikut nga skandalet ku përfshihen.
Por, zëdhënësi i bashkisë, ka garantuar sakaq se “ky avaz nuk do na pengojë të vazhdojmë me sukses punën tonë në shërbim të qytetarëve”.
Serjani nënvizoi se nuk ndodh e njëjta gjë me qeverinë, pasi sipas tij, qytetarët janë prej kohësh, jashtë vëmendjes së saj.
mit/NOA