Gjirokastër, 21 gusht, NOA – Zjarri i përmasave të mëdha që shpërtheu dje në Gjirokastër dhe rrezikoi shtëpitë e një fshati si dhe shumë prona të banorëve të zonës është vendosur nga një piroman 18 vjeçar.
Burime nga Policia e Gjirokastrës i thanë Agjencisë NOA se zjarri i një dite më parë nuk ka qenë aksidental, por është vendosur në mënyrë të qëllimshme nga 18 vjeçari, Ervin Sinomati, lindur në Tepelenë dhe banues në Sarandë.
Identifikimi i tij është bërë pas marrjes në pyetje të disa banorëve të fshatit Suhë të rrethit Gjirokastër, fshat i cili u rrezikua nga djegia.
Sinomati ka qenë me automjetin e tij në fshatin Suhë për të çuar disa porosi, por pasi ka kryer punën e tij ka ndalur poshtë fshatit, dhe pa asnjë motiv i ka vënë zjarrin një shkurreje në anë të rrugës.
Më pas zjarri ka marrë përmasa gjigante duke djegur 3 hektarë kullota dhe pyll. Por më serioze ka qenë situata për banorët e fshatit, shtëpitë e të cilëve kanë rrezikuar të merrnin flakë.
Ndërkohë që e njëjta situata ka qenë dhe për një park me koshere bletësh të cilat kanë shpëtuar vetëm me ndërhyrjen e zjarrfiksave.
Është dashur impenjimi i dy makinave të zjarrfikëseve, dhe gjithë banorëve të zonës për të normalizuar situatën.
Për 18 vjeçarin e dyshuar si piroman, ka nisur ndjekja penale për dëmtim të pronës.
a.k/NOA