Korçë, 21 gusht, NOA – Ndërsa jemi në pikun e kthimit të emigrantëve për në vendet e tyre të punës, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka inspektuar sot kontrollin policor në pikën kufitare të Kapshticës, në qytetin e Korçës.
Sipas të dhënave zyrtare janë plot 200 mijë qytetarët që kanë hyrë në Shqipëri përmes kësaj pike ufitare, qysh prej fillimit të qershorit e deri më tani.
Ministri Basha në takimin me përfaqësuesit e policisë kufitare greke, vuri theksin në bashkëpunimin dhe partneritetin e ndërsjellë në të dyja anët e kufirit, me qëllim që të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, gjatë rikthimit të tyre për në vendet e punës.
“Ju kërkoj që të vazhdoni këtë bashkëpunim deri në përfundim të sezonit në mënyrë që edhe kthimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi të jetë sa më i qetë, sa më i lehtë”, nënvizoi ministri i Brendshëm.
Në këtë kontekst, vetë përfaqësuesi i Pikës së Kalimit Kufitar të Kristalopigjis, në Greqi, Kostas Jançulis shprehu gatishmërinë e policisë kufitare greke për të bashkëpunuar në këtë drejtim.
“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me palën shqiptare. Unë jam nga më të vjetrit në këtë pikë dhe bashkëpunimi këtë vit ka qenë më i mirë se asnjëherë më parë pasi tani dhe procedurat e kalimit i kemi të njëjta. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë edhe pasaportat e reja biometrike”, tha zoti Jançulis.
Gjatë takimit me drejtuesit e strukturave policore të Qarkut Korçë, Ministri Basha vlerësoi masat e ndërmarra nga uniformat blu, falë të cilave është garantuar rendi e qetësia gjatë sezonit turistik, si dhe janë arritur rezultate në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe goditjes së veprave penale.
Zoti Basha në emër të sigurisë në rrugë, kërkoi rishtas zero tolerancë ndaj shkeljeve dhe zbatim rigoroz të normave ekzistuese në mungesë të Kodit të ri Rrugor, i cili përmban masa më të ashpra.
“Fatkeqësisht nuk u arrit që të miratoheshin ndryshimet në Kodin Rrugor, megjithatë struktura e re, mjetet që janë vënë në dispozicion kanë përgjegjësinë e plotë që nëpërmjet një qëndrimi thellësisht rigoroz të parandalojnë dhe godasin çdo shkelje në qarkullimin rrugor. Porosia është që me këto norma që kemi në zbatim dhe me këtë Kod Rrugor që kemi në zbatim, të dëshmohet zero tolerancë ndaj kundravajtësve”, theksoi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Ministri kërkoi vëmendje maksimale për kontrollin e kufirit të gjelbër, ndërkohë, u ndal edhe tek riorganizimi i burimeve njerëzore të Policisë Kufitare pas liberalizimit të vizave.
Ministri deklaroi se “Liberalizimi i vizave do të sjellë një lehtësim përsa i përket kalimit të paligjshëm të kufirit, por do të sjellë në të njëjtën kohë edhe një kapacitet të shtuar tuajin, që deri në këtë kohë e keni përdorur për shkelësit e kufirit, i cili duhet vendosur në mënyrë të prerë në përforcimin e kufirit përsa i përket kontrabandës, trafikut të narkotikës apo trafiqeve të tjera të paligjshme”.
Sipas ministrit Basha në këtë pikë duhet bashkëpunim maksimal mes të gjitha strukturave policore dhe përdorimin aktiv të informacionit kriminal, që ofrohet nga sistemi MEMEX e po kështu të lidhjes me bazën e të dhënave të INTERPOL-it.
Ndër të tjera ministri i Brendshëm u njoh edhe me rezultatet e punës së Policisë Kufitare, për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, trafikut të narkotikëve apo të mallrave kontrabandë si dhe evidentimin dhe bllokimin e dhjetëra makinave të vjedhura, dokumentave false e po kështu të ndalimit të personave në kërkim.
mit/NOA