English

Kosova në pritje të Asamblesë së OKB-së: Kosova do të fitojë mbi rezolutën serbe

Prishtinë, 21 gusht, NOA – Ndërsa tërë opinioni i Kosovës, por jo vetëm janë në pritje në mbledhjes së Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në shtator, ku do të merret një vendim për çështjen e Kosovës, shoqëria civile dhe analistët kosovarë theksojnë se në rast të miratimit të rezolutës serbe ku kërkohen bisedime të reja rreth statusit, atëherë do të bjerë edhe efekti pozitiv që pati mendimi këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës.

Por, këtë mendim e hedhin poshtë zyrtarët kosovarë, duke nënvizuar besimin se rezoluta që do të miratohet në OKB, do të jetë pikërisht ajo në favor të Kosovës.

Zëvendësministrja e Jashtme, e Kosovës, Vlora Çitaku shprehu bindjen se “Në rast se do të ketë rezolutë të miratuar nga ana e Asamblesë së Përgjithshme për përmbylljen e procesit në GJND-së, ajo do të reflektojë opinionin e GJND-së dhe jo diçka tjetër”.

Por, rishtas analistët duke iu referuar vendeve që ende s’e kanë njohur Kosovën, dhe këta nuk janë pak, nënvizojnë se nëse kjo rezolutë e Serbisë do të miratohej atëherë priten pasoja politike për shtetin e ri.

Sipas analistëve kosovarë është e domosdoshme në këtë moment që diplomacitë evropiane dhe amerikane të bindin Serbinë të heqë dorë nga rezoluta e paraqitur dhe nga modifikimet e paralajmëruara pak ditë më parë, duke e para atë jo si zgjidhje të problemit.

Në këtë kontekst, zëvendësministrja kosovare Vlora Çitaku thotë se Kosova ka përkrahje të gjerë ndërkombëtare dhe nuk është vetëm, por mbështetet nga miqtë e saj ndërkombëtarë.

Sipas Çitakut qeveria e Kosovës po siguron dhe po bën të pamundurën për të arritur suksesin në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, që do të mbahet në 14 shtator, dhe ku Kosova si shtet i ri nuk është anëtare.

Çështja e Kosovës, do të mbrohet në OKB nga vendet mike, ndër të cilat edhe Shqipëria, përveç SHBA-ve, Britanisë, Francës, Italisë e Gjermanisë.

mit/NOA
KOMENTE