English

Nënë Tereza, e tërë bota kujton 100 vjetorin e lindjes së humanistes shqiptare

“Falni dashuri në gjithçka bëni”, një shprehje që nuk mund të blatohej, përveçse nga një grua e tillë, si shenjtorja dhe humanistja e mbarënjerëzimit, me origjinë shqiptare, Nënë Tereza.

Një seri evenimentesh, meshash, lutjesh dhe plot aktivitete do të celebrojnë në mbarë botën, 100 vjetorin e lindjes së “Nënë Terezës së Kalkutës”, gruas shtatshkurtër që me mprehtësinë e mendjes dhe butësinë e shpirtit i fali dashuri miliona njerëzve të vuajtur në mbarë tokën.

Mediat italiane kanë reklamuar në vijë të parë Shqipërinë, e cila në formën e një pelegrinazhi kombëtar do ta nisë përkujtimin e humanistes shqiptare në 26 gusht, me një meshë në Katedralen e Vaut të Dejës, që do të drejtohet nga imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit.

Ndërsa, Kosova ka publikuar se viti 2010 është Viti i Nënë Terezës, në Kosovë, dhe në 5 shtator në përkujtim të shenjtores, do t’i kushtohet në sanktuar në Prishtinë.

Ndërsa, kardinali Angelo Comastri, mëkëmbës i Papës për Vatikanin, do të mbajë një meshë në Bazilikën e San Lorenzos në Damask të Sirisë, pikërisht në 26 gusht, ku do të marrin pjesë komunitetet fetare të krijuara nga shenjtorja Nënë Terezë.

Në këtë kontekst do të përurohet edhe një ekspozitë fotografike me lajtmotivin “E bekuara Tereza e Kalkutës, jeta, veprat dhe mesazhi që ajo la pas”.

Liturgji të shenjta janë parashikuar të mbahen në shumë kryeqytete evropiane, si Romë, Paris, Madrid, Barcelonë, Copenaghen, Monako.

Në Indi, atje ku Nënë Tereza kaloi pjesën më të madhe të jetës kremtimet për 100 vjetorin e lindjes së shenjtores kanë nisur që në 17 gusht, me lutje në dioqezën e Kalkutës, atu ku ndodhet selia e Misionareve të Bamirësisë, apo motrave të Nënë Terezës.

Në Nju Delhi priten një program i gjerë evenimentesh, mes të cilëve një simpozium për “Nënë Terezën”, që do të organizohet nga Konferenca Episkopale indiane, me mbështetjen e UNESCO-s.

E lindur, në Shkup, në 26 gusht, të 1910-ës, Nënë Tereza, mbylli sytë përjetë në 5 shtator të vitit 1997.

E lindur me emrin Gonxhe Bojaxhi, në një familje me origjinë shqiptare nga Kosova, sipas radio Vatikanit, Parlamenti maqedonas do të shpallë më 26 gusht, Çmimin Kombëtar “Nënë Tereza”, ndërsa ceremonitë kushtuar 100 vjetorit të lindjes do të vazhdojnë deri në fund të vitit 2010.

mit/NOA

KOMENTE