Tiranë, 21 gusht, NOA – Partia Socialiste e ka cilësuar të papranueshëm faktin që punonjësit e policisë nuk kanë marrë shpërblimet dhe dietat.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Socialiste, Piro Lutaj, tha sot në mesditë se nëse situata ka arritur deri në pikën që nuk paguhen mbrojtësit e ligjit, atëherë qeveria duhet të largohet.
“Nëse situata financiare e qeverisë së Sali Berishës ka mbërritur në atë pikë sa nuk është më në gjendje të paguajë as gardianët e ligjit, atëherë jemi përballë një situate të pashpresë, e cila mund të zgjidhet vetëm me largimin e Sali Berishës dhe kësaj qeverie”, tha Lutaj.
Deputeti i PS-së theksoi se në kohën që nuk jepen detyrimet për pagat për punonjësit e policisë, ministrat e qeverisë “po çudisin dynjanë me pasuritë e tyre, qofshin këto të deklaruara apo të padeklaruara, për të cilat Sali Berisha fshihet si struci”.Deputeti Lutaj theksoi se kjo situatë duhet të marrë fund: “Ky fakt tregon shkallën e degradimit të qeverisë shqiptare, e cila sot gjendet e zbuluar përballë një fakti të thjeshtë, pamundësisë për të paguar strukturat e rendit dhe dorëzimi përpara falimentit të plotë ekonomik”, tha Lutaj.
a.k/NOA