Lazarat, (Gjirokastër), 21 gusht 2010, NOA – Policia e Gjirokastrës ka kryer orët e para të mëngjesit të sotëm një prej operacioneve më të suksesshme të kohëve të fundit për eliminimin e lëndëve narkotike në fshatin Lazarat.
Vetëm në një prej lagjeve të këtij fshati, forcat e policisë kanë arritur të sekuestrojnë rreth 600 rrënjë bimë Canabis Sativa. Gjithashtu policia ka arrestuar një person, Bersand Rabaj, 24 vjeç, i cili ka qenë kultivuesi i drogës, si dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë.
Sipas policisë droga prej 600 rrënjësh ka qenë në tre parcela, secila në mirëmbajtje nga një person.
Grupi hetimor ka bërë këqyrjen e parcelave ku ka rezultuar se çdo parcele kishte nga 200 rrënjë bimë narkotike, gjithsej 600 rrënjë bimë Canabis Sativa, të cilat janë shkatërruar dhe asgjesuar nga ana e policisë, ku një sasi është marrë në cilësinë e provës materiale.Sipas policisë, parcelat me drogë janë vënë re gjatë kontrollit të vazhdueshëm që i është bërë territorit të Qarkut Gjirokastër dhe në veçanti zonës së Lazaratit.
Operacioni i policisë është zhvilluar sot rreth orës 05.00 të mëngjesit.
Zyrtarisht, policia tha se në fshatin Lazarat, në lagjen e re, në afërsi të vendit të quajtur ”Bregu i Spilos”, janë konstatuar tre parcela të kultivuara me bimë narkotike Canabis Sattiva, të cilat janë mbajtur nën vëzhgimin e vazhdueshëm nga ana e Specialistëve dhe Agjentëve të Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtoirinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër me qëllim identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.
Pas arrestimit të Bersand Rabajt, dy autorët e tjerë kanë mundur të largohen me shpejtësi me një automjet i cili është identifikuar nga policia.
“Për këta shtetas nga ana e policisë është bërë shpallja në kërkim policor ku për arsye hetimi identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.
a.k/NOA