Tiranë, 21 gusht, NOA – Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi akuzoi edhe një herë sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama për abuzime me dhënien e leve të ndërtimit dhe marrjen e 20 për qind të shumës së investuar në të gjitha lejet në Tiranë.
Në një deklaratë për mediat, deputetja e PD-së paraqiti një dokument të biznesmenit Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepuri, ku sipas saj kërkohej nga kreu i bashkisë 20 për qindëshi i shumës për të dhënë një leje ndërtimi.
Vokshi u shpreh se “ky dokument është vetëm një pjesë e vogël e abuzimeve marramendëse të Edvin Ramës”.
Albana Vokshi u shpreh se për të gjitha lejet që janë dhënë në Tiranë nga Rama është marrë shuma prej 20 për qind, duke e bërë aktivitet si korrupsionin më të madh.“Jam këtu për të ftuar z. Edi Rama për t’u përgjigjur për ato qindra dosje në Prokurori. Ky që shihni këtu është një dokument i kompanisë “Vizionin Construction”, e cila është detyruar të kalojë 20 për qind të aksioneve për të marrë leje ndërtimit. 20 për qindëshi i një leje ndërtime ka kaluar në adresë të Edi Rama”, - deklaroi deputetja Vokshi.
Më tej, ajo u shpreh se kryesocialisti dhe kryebashkiaku i Tiranës, z.Edi Rama duhet të sqarojë “lidhjet e tij me biznesmenin Dritan Avllaj ose i njohur ndryshe si Tan Lepuri”.
a.k/NOA