Tiranë, 21 gusht, NOA – Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike akuzoi sot kryetarin e Partisë Sociasliste, njëherësh kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama se për çdo leje ndërtimi merr 20 përqind, ka reaguar edhe selia rozë, duke deklaruar se deputetja Vokshi flet përçart kur akuzon se njerëz të njohur të Edi Ramës, paskan lidhur privatisht kontratë me shokun e saj të jetës.
“Është e vajtueshme, që ndërkohë që opozita akuzon për kontrata shumëmilionëshe, në konflikt të hapur interesi mes pushtetarëve dhe familjarëve të oborrit të pushtetit, në kurriz e dëm të popullit shqiptar, zonja deputete flet përçart për njerëz të njohur të Edi Ramës që paskan lidhur privatisht kontratë me shokun e saj të jetës”, deklaroi nga selia rozë, deputetja Eglantina Gjermeni.
Zonja Gjermeni nënvizoi se Partia Socialiste nuk është kundër të drejtës kushtetuese e ligjore të asnjë individi për të bërë biznes.
Deputetja Gjermeni garantoi ndërkaq se Partia Socialiste dhe shefi i saj, Edi Rama janë më të vendosur se kurrë kundër kontratave që pushteti lidh me familjarët, shërbëtorët e klientët e tij, në dëm të interesit publik, duke grabitur pasurinë e përbashkët apo pronat e atyre, që nuk jetojnë në oborrin e pushtetit.
“Ne nuk jemi kundër zonjës Vokshi dhe nuk e akuzojmë shokun e saj të jetës apo qoftë edhe djalin e Sali Berishës, thjesht pse merren me biznes. Jo. Ne i akuzojmë këta pushtetarë, që përmes abuzimit me fuqinë e pushtetit te qytetarëve po pasurojnë familjet e farefisin e tyre duke grabitur Shqipërinë dhe varfëruar shqiptarët”, pohoi deputetja socialiste.
Në këtë kontekst, deputetja Eglantina Gjermeni afirmoi lidhur me çështjen se transparenca e aferave korruptive sapo ka nisur duke nënkuptuar se socialistët nuk do të ndalen.
“Merreni me durim zonja e zotërinj, transparenca e bëmave tuaja të turpshme sapo ka filluar’, tha Gjermeni.
mit/NOA