English

Mbretëresha e buzëqeshur, Roberts rikthehet me “Ha, Lutu, Dashuro”, në vjeshtë në kinematë evropiane

Nju Jork, 22 gusht, NOA- “Ha, lutu dhe dashuro”, filmi më i fundit me protagoniste yllin hollivudian, Xhulia Roberts, pas daljes në kinematë amerikane më 13 gusht, do të shfaqet edhe në Europë, në vjeshtë.

Filmi tregon për një grua që ndihet e përhumbur dhe e paqartë pas vuajtjeve që i shkaktoi ndarja me bashkëshortin dhe që niset për një udhëtim të gjatë në kërkim të vetvetes.

Dhe është pikërisht udhëtimi i përshkruar sipas kujtimeve autobiografike të shkrimtares së njohur amerikane Elizabeth Gilbert, pikënisja e filmit “Ha, Lutu, Dashuro” i realizuar nga regjisori Ryan Murphy.

Ky rikthim i shumëpritur në kinema i aktores së madhe e sjell atë në vëmendjen e adhuruesve me një komedi romantike, përkrah aktorëve James Franco e Javier Bardem, Viola e Billy Crudup.

Protagonistja Roberts, që luan rolin e shkrimtares Gilberts, në këtë komedi romantike është një grua që rrugëton në zbulim të vetes nga Italia, India dhe Indonezia.

Roberts rrugëton botën duke mbërritur në Romë për të shijuar gatimet dhe begatinë e tryezës italiane; shkon në Indi për të zbuluar shpirtin e saj përmes lutjes dhe rrugëton deri në Bali ku takon dashurinë e saj të jetës, Felipen, një rol i interpretuar nga Javier Bardem.

Tashmë mbretëresha 43 vjeçare, me buzëqeshjen më të bukur në Hollivud është kthyer rishtas në ekranin e kinemave pas lindjes së binjakëve të saj Hazel Patricia dhe Phinneaus Walter në 4 korrik të 2004-ës dhe djalit Henry në qershor të 2007-ës.

Roberts një nga aktoret më të famshme dhe të paguara në botë në karrierën e saj numëron tre çmime Golden Globes dhe një Oskar, si aktorja më e mirë protagonistë për filmin “Erin Brokoviç”.

mit/NOA
KOMENTE