Igumenicë, 22 Gusht 2010 NOA - Gjendje shoku dhe neveri ka provokuar një ngjarje e rëndë e ndodhur në Igumenicë, ku një vajzë e vogël shqiptare është abuzuar seksualisht nga një plak grek që shfrytëzoi miqësinë e krijuar me të atin e vogëlushes.
Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se ngjarja ka ndodhur në afërsi të Super Market “Ksenos” dhe autor i dyshuar i saj, është 70-vjeçari K.S, lindur në Paramithia dhe banues në Igumenicë, që ju dalloni në këtë foto të sotmen pas arrestimit.
Burime zyrtare nga Zyra e Krimit kundër Personit dhe Krimeve Seksuale të Igumenicës i thanë agjencisë NOA se vajza 6-vjeçare e abuzuar, është aktualisht nën kujdesin e punonjësve socialë dhe të atit që ka ngritur padi penale ndaj shtetasit grek, në bashkëpunim me prokurorinë e Shtetit.
Gjithçka ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në këndin e lojërave të Igumenicës. 70-vjeçari K.S., ka shkuar në shtëpinë e mikut të tij dhe i ka ofruar që të marrë vogëlushen dhe ta çojë në parkun e lodrave dhe meqë aty afër ishte supermarketi, do t’i blinte dhe një akullore.
Babai i të voglës, duke mos pasur dyshimin më të vogël se plaku grek ishte pervers, jo vetëm që e ka lejuar por edhe e ka falënderuar të moshuarin për xhestin e tij dashamirës.
Pasi e ka çuar te lodrat, disa minuta më vonë, duke i premtuar se do t’i blinte akullore, 70-vjeçari e afron vogëlushen deri te pjesa e prapme e supermarketit “Ksenos”, që në ato momente ishte pa lëvizje njerëzish.
Atje, duke përdorur dhunë fizike, plaku maniak, i ka hequr fustanin vajzës së vogël të shokut të tij dhe më tej të brendshmet.
Nën britmat e fëmijës që i vuri njërën dorë në gojë që të mos dëgjohej, plaku pervers arriti të depërtonte në organet gjenitale të të voglës duke përdorur gishtat e dorës tjetër.
Pasi ka shfryrë epshet seksuale, plaku e ka lëshuar vajzën nga kthetrat e tij. Vogëlushja e terrorizuar, ka vrapuar duke qarë me dënese dhe arriti në banesë, vetëm disa qindra metra larg vendit ku ndodhi ngjarja.
Me të hyrë në shtëpi, i ka treguar të atit për ngjarjen e ndodhur, duke identifikuar si autor, pikërisht fqinjin e tyre që ishte dhe mik i babait prej një muaji.
I tmerruar nga ajo që dëgjoi dhe duke parë fustanin e shqyer të së bijës dhe shenjat e dhunës në fytyrë dhe trup, emigranti 38-vjeçar ka marrë të bijën përdore dhe ndërsa vraponte për te rajoni policor, ka njoftuar paraprakisht në numrin telefonik të policisë, mbërritjen për denoncim.
Në orën 01.00 të ditës së sotme (E Diel), Policia e Igumenicës konfirmoi zyrtarisht arrestimin e të dyshuarit: “Shtetasi K.S., 70 vjeç, lindur në Paramithia dhe banues në Igumenicë, u arrestua në kushtet e flagrancës pas denoncimit të një shtetasi shqiptar, emigrant i ligjshëm në Greqi, se ka kryer vepra të turpshme me vajzën e tij gjashtë vjeçe. Nga ekspertiza mjekësore e kryer, u dalluan shenja të qarta të abuzimi seksual”.
Policia pohoi se “70-vjeçari i dyshuar, e pranoi se kishte kryer vepra të turpshme me të miturën. Ai iu dërgua për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Thesprotisë, për akuzat e kryerjes së veprave të turpshme me të mitur dhe kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë, me të mitur”.
n.s/r.n/NOA