English

Obama, fjalim për kthimin e trupave nga Iraku, pas pushimeve

Washington, 22 gusht, NOA – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama do të flasë për përfundimin e misionit luftarak të ushtrisë amerikane në Irak, me tu kthyer nga pushimet e verës, ku bashkë me familjen e tij kanë shkuar të pushojnë në një nga zonat e mrekullueshme turistike të Martha’s Vineyard, në shtetin Massachusetts.

Këtë e kanë bërë publik sot burime nga administrata e kontesë bregdetare, të cilët kanë preçizuar me pak fjalë se pas pushimeve presidenti Obama do të mbajë një fjalim të gjatë lidhur me përfundimin e misionit dhe kthimin e trupave nga Iraku.

Presidenti amerikan do të qëndrojë me pushime deri në 29 gusht.

Por lidhur me misionin në Irak, ishte prononcuar më herët edhe gjenerali amerikan, Rei Odierno, i cili theksoi se “Trupat amerikane mund të kthehen në operacione luftarake në Irak nëse do të jetë e nevojshme”.

Sipas komandantit të forcave amerikane në Irak, Odierno, “forcat irakiane të sigurisë do të jenë të gatshme deri kur të vijë koha për tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga ky vend, që është parashikuar në vitin 2011”.

Gjenerali Odierno nënvizoi sakaq se “ndihma ushtarake amerikane për Irakun pas vitit 2011, sipas të gjtiha gjasave do të jetë në ruajtjen e hapësirës ajore dhe kufijve”.

Komentet e shpeshta të krerëve të ushtrisë amerikanë vijnë pikërisht në momentin kur sapo ka nisur tërheqja e trupave luftarake amerikane nga Iraku, pasi presidenti Barack Obama shpalli si zonë të epërme luftimesh sot për sot, Afganistanin.

mit/NOA
KOMENTE