English

PD: Katër pyetje Edi Ramës për pasurinë dhe korrupsionin

Tiranë, 22 gusht, NOA Update, - Në emër të Partisë Demokratike, deputeti Luçiano Boçi, ka kërkuar sot nga kryetari i Partisë Socialiste të reagojë për akuzat që i janë bërë nga përfaqësues të të politikës për abuzimet dhe korrupsion.

Boçi bëri në një konferencë për mediat katër pyetje për kryetarin e PS-së dhe ka kërkuar përgjigje nga Rama. Boçi u shpreh se Rama duhet të prononcohet për hetimin e pasurisë së tij me anë të një komisioni.

“A jeni ju zoti Rama i gatshëm që të ngremë një komision hetimor parlamentar për të hetuar pasuritë e partnerëve tuaj dhe deputetëve të majtë e të djathtë?”, u shpreh Boçi, duke deklaruar se në këtë mënyrë u jepet fund akuzave.

Pyetja tjetër për të cilën ka kërkuar përgjigje PD-ja është pasuria e të afërmëve të kryetarit të PS-së, Edi Rama.

“Përgjatë këtyre viteve ju keni pasur përreth shumë partnerë e deputetë me pasuri marramendëse të pajustifikuar, për të cilët nuk keni guxuar të thoni një fjalë të vetme. Kur do ju shohim të flisni një herë objektivisht në daljet e tuaja pa kriter, si Edvin i vërtetë, për këto afera?”, tha deputeti i PS-së, Luçiano Boçi.

Pasuri e deklaruar e kreut të PS-së është një tjetër çështje për të cilën mazhoranca kërkon sqarime.

“Zoti Rama ju vetë, jeni tallur me shqiptarët, kur deklaroni se keni vetëm 3 mijë dollarë të kursyera dhe se jeni i pastrehë, ndërkohë që keni 12 vite si kryetar bashkie. Pse ju keni kaq frikë të deklaroni pasurinë tuaj e cila thuhet se i kalon miliardat, apo nuk mbani mend burimin?”, deklaroi dje deputeti i PD-së, Boçi.

Deputeti i PD-së ka kërkuar sqarime nga Rama dhe për akuzën që i bëri një ditë më parë deputetja Vokshi.

“Zoti Edvin Rama, cila është vlera e pasurisë suaj që ju e keni transferuar në emër të partnerëve tuaj, siç dhe e vërteton dokumenti që paraqiti Zonja Vokshi, ku me një urdhëresë tuajën, përfitoheshin pa pikën e mundit e të djersës dhe pa ligj, jo pak por 100 milion euro. Sa të tilla keni ekzekutuar me dhe pa letër zoti kryetar i Bashkisë?”, tha Boçi, duke shtuar se këto pyetje i drejton jo vetëm ai, por gjithë shqiptarët.

a.k/NOA

KOMENTE