English

PS reagon për LSI: Nuk ka reforma pa transparencën e zgjedhjeve

Tiranë, 22 gusht, NOA – “Nuk ka reforma pa u bërë më parë transparenca e zgjedhjeve”. Ky është qëndrimi që ka mbajtur sot, Partia Socialiste në lidhje me deklaratat e LSI-së për nisjen e punës për reformën zgjedhore dhe reformat e tjera të nevojshme.

Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni u shpreh për mediat se pa u bërë transparenca Partia Socialiste nuk do të bëjë asnjë bashkëpunim me mazhorancën e sotme. Ajo ka theksuar se ky është qëndrim i hershëm i Partisë Socialiste.

“Vetëm transparenca e zgjedhjeve të shkuara është garancia zgjedhjeve të ardhshme. Ta harrojë tryezën e bashkëpunimit, një reformë të re ligjore, kush nuk ka kurajo të ulet në tryezën e hetimit të të gjitha shkeljeve të ligjit ekzistues zgjedhor. Shqiptarëve nuk ju mungojnë ligjet ne letër, por pushteti që i zbaton ato në realitet”, tha Gjermeni.

Deputetja e PS-së ka theksuar dhe një herë se opozita nuk heq dorë nga transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit, ku sipas saj, u vodh vota e qytetarëve.

“Transparenca e zgjedhjeve, e plotë dhe pa humbur më kohë, është kushti i çdo bashkëpunimi të Partisë Socialiste me palën tjetër”, tha ajo.

a.k/NOA

KOMENTE