English

Veriu i Kosovës, EULEKS pritet të nisë 25 arrestimet për krim të organizuar, korrupsion e kontrabandë

Prishtinë, 22 gusht, NOA – Ndërsa zyrtarët e lartë të EULEX-it paralajmëruan ditë më parë se në në veri, pritet të nisë arrestimi i 25 personave të parë që kanë shkelur ligjin në pjesën veriore të Kosovës, përfaqësues të sebëve në këtë zonë e shohin këtë si një sulm politik ndaj serbëve.

Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka njoftuar se gjashtë nga 25 personat që po hetohen ne Veri të Kosovës, janë të lidhur me kontrabandën, krimin të organizuar, korrupsionin, vrasjet dhe tentim-vrasje, dhe cilësohen si raste serioze dhe të profilit të lartë të hetimit.

Qeveria e Kosovës sikundër mësohet nga mediat kosovare i ka mbështetur hetimet e EULEX-it, si një nismë për të vënë para drejtësisë të gjithë ata që janë përfshirë në veprime të paligjshme në Veriun e Kosovës.

Por, Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, jep një version tjetër duke thënë se “Qeveria nuk është e gatshme të japë kontributin e vet në luftën kundër krimit të organizuar në Veri të Kosovës dhe askund tjetër në Kosovë. Pra, presim që EULEX-i të jetë adresa kryesore dhe përgjegjësi kryesor për të luftuar krimin e organizuar atje”, tha Ramadani.

Por, paralajmërimet për nisjen e arrestimeve nga misioni i Bashkimit Evropian për policinë e drejtësinë në Kosovë janë kritikuar nga serbët e veriut të Kosovës.

Sipas serbëve në Kosovë, ky aksion i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit më së shumti ka të bëjnë me imponimin e shtetit të Kosovës, në këtë pjesë të vendit.

Njëri nga politikanët serbë në veriun e Kosovës, Milan Ivanoviç tha se “paralajmërimet janë në funksion të paraqitjes së ndërhyrjeve të tilla, kinse kanë të bëjnë me kriminalitetin, por në thelb ato janë tentime për implementimin e dhunshëm të shtetit, të cilin serbët në mënyrë demokratike e kanë kundërshtuar.

EULEX-i, nuk ka zbuluar asnjë informacion mbi profilin e personave të dyshuar për krim të organizuar në veri, dhe sipas përfaqësuesve të opozitës kosovare, ata nuk janë vetëm serbë të veriut, por mund të jenë edhe zyrtarë institucionalë të Kosovës dhe ata të mediave.

Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në 17 shkurt të 2008-ës, pikat kufitare në Veri të Kosovës u dogjën nga protestuesit serbë, duke mos patur një kontroll të rreptë, deri kur EULEX-i vendosi atje policët e vet të kufirit.

mit/NOA
KOMENTE