English

Vokshi, Ramës: "Zoti 20 %" përballemi në debat televiziv, do vërtetoj që je gjobëvënësi më i madh në Europë

Tiranë, 22 gusht, NOA- Pas akuzave të artikuluara sot nga selia rozë dhe Bashkia e kryeqytetit, ka reaguar para pak minutash edhe deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, duke e ftuar Edi Ramën në një debat të hapur televiziv, ku zonja Vokshi është e gatshme të vërtetojë me dokumente gjobat marramendëse të Edi Ramës për lejet e ndërtimit këto 12 vjet.

“Unë, jam e gatshme që me dokumenta dhe fakte konkrete të vërtetoj gjobat e vëna dhe pasurinë tënde marramendëse, të vënë në mënyrë të paligjshme në 12 vitet e tua në pushtet, të marrë nëpërmjet sekserëve të tu, të vënë në emër të partnereve dhe partnerëve të tu”, - deklaroi nga Kryesia e Kuvendit, deputetja Vokshi.

Zonja Vokshi deklaroi sakaq se “E kam thesuar që dokumenti i djeshëm është vetëm një prej dokumentave të shumtë, që vërtetojnë se je gjobvënësi më i madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë”.

Sipas deputetes demokrate Albana Vokshi, “Vetëm për projektin e zonës së liqenit, i ashtuquajturi projekti “TIRANA ROCK”, gjoba jote shkon mbi 100 milionë euro”.

“Zoti 20%, nëse je burrë e të ka mbetur qoftë edhe një fije burrërrie, nxirre lepurin nga barku, dhe hajde përballemi në secilën studio televizive që mund ta zgjedhësh ti”, i bëri thirrje kryetarit të PS-së dhe kryebashkiakut Rama, deputetja Albana Vokshi.

Zonja Vokshi, theksoi ndërkaq se “Zoti Rama, denoncimit tim të djeshëm, me dokumente dhe fakte konkrete, ju iu përgjigjët nëpërmjet çakenjve, të cilët përdorën një gjuhë, që është e denjë vetëm për ju”.

Deputetja demokrate tregoi se janë pikërisht shpifjet dhe trillimet, që sipas saj, shpalosin fytyrën e vërtetë prej bllokmeni, të Edi Ramës.

“Nëse thoni, që unë gënjej se nuk ka vakum ligjor në procesin e Deklarimit të Pasurisë, pse ti Edvin Kristaq Rama ke fshehur për 12 vjet me rradhë pasurinë, që ti vetë e ke vënë në emër të jo një, por të disa partnerëve që tashmë njihen nga të gjithë”, bëri me dije deputetja Vokshi, duke i bërë apel Ramës, “të mos fshihet pas çakenjve fatkeqë”.

mit/NOA

KOMENTE