Fier, 23 gusht, NOA - Disa ditë pas zbulimit në parkun arkeologjik të Apollonisë, të bustit të një aristokrati, që daton shekullin e 2-të pas Krishtit, ekspedita shqiptaro-franceze ka nxjerrë në dritë rishtas në parkun e Apollonisë, një bust gruaje, i tëri në mermer.
Sipas bashkëdrejtuesit francez të ekspeditës arkeologjike, Jean-Luc Lamboley bëhet fjalë për bustin e një gruaje, i punuar në mermer, i cili u zbulua në të njëjtin vend ku para disa ditësh u zbulua busti i aristokratit, i ruajtur në gjendje të përkryer dhe që tashmë ndodhet i ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Tiranës.
Arkeologët shprehen se ndryshe nga statuja e burrit aristokrat, busti i gruas është vende vende i dëmtuar, dhe pikërisht në pjesën e hundës dhe të veshit.
Sipas arkeologëve edhe gjendja e ruajtja e kësaj statuje nuk është e tillë e përkryer si në rastin e bustit të gjetur para pak ditësh.
Bashkëdrejtuesi francez i ekspeditës Jean-Luc Lamboley mendon se ka të ngjarë që statujat t'i përkasin një familjeje të rëndësishme apoloniate e madje ato mund të paraqesin edhe çiftin e pronarëve të Vilës me Impluvium, pranë së cilës u gjetën dy statujat.
Arkeologët po punojnë për saktësimin e kësaj hipoteze.
Zbulimi i bustit të gruas vjen disa ditë pasi u zbulua busti prej mermeri i aristokratit romak, për të cilin arkeologët thanë se ishte një zbulim spektakolar, duke iu referuar vjetërsisë së saj, përmasave të mëdha dhe gjendjes së mirë në të cilën është zbuluar.
mit/NOA