English

Basha nga Vlora: Tolerancë zero për ata që bllokojnë rrugët e vendit

Vlorë, 23 gusht, NOA – Tolerancë zero në luftën kundër krimit, korrupsionit, garantimin e sigurisë dhe rendit publik, dhe vënien para drejtësisë të atyre që tentojnë të bllokojnë rrugët, ka kërkuar sot nga uniformat blu të qytetit të Vlorës, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Në këtë udhëtim pune në qarkun e Vlorës ministri kërkoi nga drejtuesit e strukturave policore të Vlorës që të bashkëpunojnë ngushtë Drejtorinë e Policisë së Shtetit, për të marrë të gjitha masat për parandalimin e bllokimit të paligjshëm të rrugëve dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, që kryejnë një veprimtari të tillë.

“Ju duhet të merrni të gjitha masat që në çdo rast të ndërhyhet me forcën e ligjit dhe përgjegjësit të vihen para ligjit. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë bllokim rruge publike. Nuk mund dhe nuk do të tolerohet asnjë person, i cili merr pjesë, apo tenton të marrë pjesë në një veprimtari të tillë”, theksoi ministri Basha.

Ministri i Brendshëm, sakaq tha se “duhet të vendoset një bashkëpunim sa më i ngushtë me prokuroritë e rretheve në mënyrë që çdo person i referuar nga ju të ndiqet penalisht. Kushdo që guxon të instrumentalizojë ngjarje kriminale dhe t’i përdorë ato për të justifikuar një veprimtari thellësisht antiligjore, siç është bllokimi i rrugëve do të marrë përgjigje të merituar. Sikundër strukturat antiterror ta trajtojnë këtë çështje me prioritet si dhe të godasin pa pikë hezitimi për të parandaluar, apo në rastet kur ka ndodhur për të vendosur para drejtësisë personat përgjegjës duke përfshirë këtu edhe personat frymëzues pavarësisht pozitës së tyre shoqërore apo politike”, nënvizoi zoti Basha, duke iu referuar bllokimit të rrugës Vlorë-Sarandë, kur kortezhi i makinave protestoi për vrasjen sipas tyre të qëllimshme me aksident, 35 vjeçarit nga Himara, Aristidh Guma.

Gjatë analizës së punës së policisë së Vlorës, ministri Basha vlerësoi si tregues të suksesit statistikat e dyfishuara për këtë vit të luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit.

“Është një tregues i mirë se si lufta kundër korrupsionit mund të shtrihet përtej Tiranës në çdo qark. Natyrisht rezultatet e arritura duhet të shërbejnë si inkurajim për të vazhduar edhe më tej në këtë rrugë duke dëshmuar në këtë mënyrë vullnetin e hekurt të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme për të zbatuar politikën e zero tolerancës të qeverisë Berisha në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik”, vlerësoi ministri i Brendshëm.

Ministri vlerësoi gjithashtu edhe arritjet në luftën për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike si dhe zbatimin e detyrave për mbarëvajtjen e sezonit turistik sa i përket edhe masave për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe për reduktimin e zhurmave nga lokalet gjatë natës.

Gjatë inspektimit në pikën e kalimit kufitar në Portin e Vlorës, ministri i Brendshëm, konfirmoi se edhe në këtë pikë kalimi si në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit, po praktikohen standarte të përshtatura me standartet Schengen.

“Mendoj, që masat në këtë port janë në përputhje me standartet më të mira të policisë kufitare shqiptare, të cilat janë të përshtatura me standartet Schengen dhe shpresoj që ky është shembulli i mirë i bashkëpunimit, i cili vërehet edhe në Durrës edhe kudo tjetër të lehtësojë maksimalisht fluksin e pushuesve në hyrje po dhe në dalje për të dhënë atë shijen e fundit të mirë pas një periudhe pushimi në Shqipëri dhe për t’i nxitur ata për t’u kthyer sa më shpejt”, tha ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

mit/NOA
KOMENTE