Petrelë, Tiranë, 23 gusht, NOA – Nga Kalaja e Petrelës, aty ku Mamica Kastrioti e motra e heroit tonë kombëtar Skënderbeut i bëri ballë sulmit të ushtrisë otomane, kryeministri Sali Berisha i bëri rishtas thirrje opozitës të heqë dorë nga nihilizmi dhe të shohë me sytë e të vërtetës arritjet e qeverisë shqiptare, të prekshme për çdo qytetar.
Shefi i qeverisë, i cili mbërriti pasdite në kalanë e Petrelës deklaroi se qeveria e tij ka investuar në ndërtimin e 6 mijë kilometrave rrugë në mbarë vendin, një arritje që bëri që këtë vit të rritej disa herë më shumë numri i turistëve që vizituan Shqipërinë, gjatë sezonit turistik.
Sipas kreut të qeverisë, bazë për arritjet në fushën e ekonomisë dhe infrastrukturës janë politikat qeverisëse, për të cilat zoti Berisha nëvizoi se janë shumëfishuar investimet publike dhe ato private.
Andaj, shefi i qeverisë i bëri thirrje liderit të opozitës Edi Rama dhe shpurës së tij, të dalin nga kullat e Fidelit, në qendër të Tiranës, dhe të heqin dorë nga nihilizmi, që sipas zotit Berisha i ka rrënjët e veta në fundamentalizmin totalitar famëkeq të Partisë Komuniste, nga lindi sipas kryeministrit dhe u frymëzua Partia Socialiste në vitin 1991.
“Unë nuk them se nuk ka të meta, se nuk ka vështirësi serioze, unë e di”, theksoi kryeministri duke pohuar dorazo deklaratat e opozitës për varfërinë e shqiptarëve në këto kohë krize, por, shefi i qeverisë, siguroi qytetarët, se “I garantoj se brenda këtij mandati se nuk do të ketë shqiptar që të qajë me lotë mjerimin e vet”.
Qeveria tha, kryeministri, ka në vëmendje qytetarët dhe pikërisht përmes politikave sociale u arrit të dyfishohej ndihma ekonomike për familjet në nevojë, ndërsa është shumëfishuar nënvizoi ai edhe numri i studentëve në Univestitetet shqiptare këto 5 vjet.
Në këtë vizitë kryeministri Berisha garantoi mbështetjen e qeverisë për projektet për zhvillimin e Petrelës.
“Do mbështesim projektet për Petrelën, do mbështesim Kryetarin e Komunës, në të gjitha projektet, që ta bëjnë Petrelën, një vend të vizituar nga turistë nga mbarë bota”, tha kryeministri Sali Berisha, në dalje të tij publike nga klaja e lashtë e Petrelës, shembull i mbrojtjes së fortë ndaj sulmeve të ushtrisë otomane gjatë shekullit të 15-të.
mit/NOA