English

Halimi: Rama duhet t’u përgjigjet akuzave për abuzimet me lejet e ndërtimit

Tiranë, 23 gusht, NOA – Partia Demokratike ka kërkuar sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama që t'u përgjigjet publikisht akuzave që ka ngritur në adresë të tij deputetja Albana Vokshi.

Deputeti i PD-së, Eduard Halimi u shpreh se “deri më sot Rama ka qëndruar i fshehur” dhe se ka ardhur koha që qytetarët të marrin një përgjigje nga drejtuesi i Bashkisë më të madhe në vend për mënyrën sesi jepen lejet e ndërtimit dhe si merret gjoba prej 20 për qindësh.

“Unë dhe qytetarët po presim çdo ditë që zoti Rama t’i përgjigjet akuzave publike të ndërtuesve. Deri tani ai vetëm ka heshtur”, tha Halimi sot në një konferencë për mediat.

Halimi u shpreh se nuk është vetëm deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ajo që ka akuzuar kryetarin e Bashkisë. Ai ka përmendur dhe faktin se ndërtues të ndryshëm kanë deklaruar se për çdo leje ndërtimi për pallate janë detyruar në forma të ndryshme për t’i dhënë një shumë parash kryebashkiakut.

“Pas akuzave publike të ndërtuesit Dodë Doçi për 20% e kërkuar nga Edvin Rama; pas akuzave publike të ndërtuesit Hajredin Fratëri për 20% e kërkuar përsëri nga Edvin Rama; këto ditë shtypi shqiptar dhe deputetja Vokshi, paraqitën me fakte dhe dokumenta, me firmë dhe vulë, gjobën prej 20% që Mr.Rama i pret firmave ndërtuese përmes sekserit të tij personal Dritan Lepuri apo Avllaj”, u shpreh Halimi.

a.k/NOA

KOMENTE