English

ISHP: Nxënësit e shkollave në Shqipëri, seks që në moshën 11 vjeçare

Pyetësori i realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik nxjerr se 14 për qind e nxënësve kanë marrëdhënie seksuale në moshën 11-15 vjeç

Tiranë, 24 Gusht 2010 NOA – Ndër moshat 11-15 vjeç në vendin tonë janë gati 14% ose 391 nxënës që janë të përfshirë në kontakte seksuale, sipas pyetësorit që publikon Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).

Të dhënat nxjerrin dhe një shumicë prej 2369 nxënësish, në 2779 pyetësorë të mbledhur, që nuk e kanë provuar këtë eksperiencë seksuale, por problemi bëhet më i rëndë kur konstatohet se ata që janë zhytur në akte seksuale dhe pse vetëm 11 deri 15 vjeç, në pjesën më të madhe nuk mbrohen.

Kurse në Europë lidhur me kontaktet seksuale të adoleshentëve respektive kemi një incidencë që luhatet nga 12% në Sllovaki në 61% në Groenlandë 34 për qind).

Nisur nga këto të dhëna duhet patjetër të modelojmë punën tonë edukative në drejtim të krijimit të qëndrimeve pozitive dhe sjelljeve të shëndetshme për ata që përfshihen në përvoja të caktuara seksuale, pohon ISHP.

Ajo që ata këshillojnë dhe tentojnë të edukojmë tek adoleshentët është që, në pamundësi për të spostuar moshën e kontaktit të parë seksual, gjithmonë duhet të përdoren masa mbrojtëse për seks te sigurt.

“Në këtë kuptim metoda më e mirë është përdorimi i kondomit apo perzevativit. Sa e njohin dhe sa e përdorin adoleshentët tanë këtë metodë? Në përgjigje të pyetjes së ISHP rezulton se në 14% adoleshentë që deklarojnë se kanë pasur kontakte seksuale, kemi rreth 7% të tyre që e kanë përdorur kondomin në kontaktin e fundit seksual dhe 7% të tjerë që nuk e kanë përdorur atë.

Ndaj tentativa jonë për të rritur ndjeshmërinë e brezit të ri për mbrojtjen e shëndetit përmes seksit të sigurt duhet të jetë e vazhdueshme, duhet të përsëritet me të njëjtin intensitet dhe mbi të gjitha duhet të jetë sa më bindëse dhe sa më shkencore.

“Vetëm përmes kësaj pune ne do të arrijmë të jemi të suksesshëm tek adoleshentët, duke tentuar të realizojmë ndryshimin e sjelljeve të tyre drejt sjelljeve të shëndetshme”, - pohon ISHP.

***

Flasin mjekët dhe psikologët e ISHP:

“Një nga temat më sensitive për moshën e adoleshencës është ajo e sjelljeve seksuale dhe eksperienca e marrëdhënieve seksuale për ta.

Duhet të kemi parasysh se kalimi në adoleshencë shoqërohet me një sërë ndryshimesh të dukshme dhe të padukshme, fizike dhe shpirtërore, gjë që pranohet pothuaj nga të gjithë. Por, kur vjen puna për të ballafaquar eksperiencat personale apo edhe ato individuale në familjen e gjithsecilit, apo me fëmijët e vet, një pjesë e mirë e të rriturve befasohen, ju duket çudi që po ndodh diçka konkrete me fëmijën e tyre, ju vjen e papritur që fëmija i tyre është rritur dhe ka nevojë për tjetër lloj komunikimi, për më shumë informacion për temat intime apo për temat që deri dje ishin “tabu”.

Ajo çka fillimisht bie në sy janë ndryshimet fizike të fëmijës, për djemtë kemi zhvillimin fizik trupor, daljen e qimeve, trashjen e zërit, ndryshimet hormonale etj, dhe për vajzat zhvillimin trupor, rritjen e gjoksit e deri tek fillimi i menstruacioneve.

Por ndryshimet më të mëdha janë ato shpirtërore dhe të ndjenjave. Në këtë drejtim kemi një rritje të pavarësisë së fëmijës, nuk i pëlqejnë më këshillat, fillon të pëlqejë trupin e vet dhe të partnerëve të kundërt, mundohet të mbahet dhe të bëjë më shumë përshtypje tek seksi i kundërt e kështu me rradhë.

Pikërisht, për këtë arsye, që të gjithë, si prindër dhe si edukatorë duhet të jemi të përgatitur për këtë fazë të zhvillimit të fëmijëve, dhe njëkohësisht duhet të orientojmë këto sjellje drejt sjelljeve të shëndetshme seksuale.

Ç’kuptojmë me këtë të fundit?

“Sjellja e shëndetshme seksuale ose mirëqenia seksuale përfshin kater fusha zhvillimi që janë :

-ndjenjat pozitive rreth trupit të dikujt

-ndjenjat e ngritjes dhe dëshirës seksuale

-përfshirja në sjellje seksuale

-dhe për ata që janë përfshirë në marrëdhënie seksuale, praktikimi i seksit te sigurt”33).

Të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm që, përfshirja në sjellje seksuale dhe akoma më shumë përfshirja në marrëdhënie seksuale, është një sjellje që shoqërohet me shumë dilema dhe që ka nevojë të vlerësohet e të peshohet gjatë,para se të kryhet. Dhe kjo për shumë arsye.

Është një ironi e fatit që shumë vendime për veten, njerëzit detyrohen t’i marrin kur nuk e kanë pjekurinë e duhur për atë që do të bëjnë. Kështu edhe për përfshirjen në marrëdhënien seksuale, adoleshentët piqen seksualisht dhe kanë dëshira seksuale që në moshë fare të njomë, që kur janë 12-15 vjeç.

Dhe ta mendosh që në këtë moshë duhet të mendojnë dhe të veprojnë me maturi për të mos dëmtuar shëndetin e tyre, për të evituar shtatzënitë e padëshiruara dhe çka është më e rëndësishme, për të evituar infektimin me IST dhe me HIV/AIDS.

A nuk është kjo një “barrë” e rëndë për një adoleshent që eksperimenton për herë të parë marrëdhënie seksuale? Patjetër që është.

Ndaj edhe procesi edukativ duhet të fillojë sa më herët, ndaj në këtë proces duhet të angazhohen sa më shumë aktorë ku në mënyrë të veçantë do të përmendnim familjen, shkollën, shoqërinë civile, median etj.

Faktin që kjo eksperiencë seksuale është vërtetë e ndërlikuar dhe me pasoja për zhvillimin e mëvonshëm të adoleshentit, e përshkruan edhe një këngë “rep” me autor të panjohur në vitet ’80 në Amerikë:

“Sex is a gamble/kissing is a game

Boys do the action/girls get the blame...”

Në analizë të këtyre dy vargjeve konkludohet se përfshirja në marrëdhënie seksuale është vërtetë një ngatërrese e madhe; është vërtetë kënaqësi, por ka edhe një mori problemesh që e shoqërojnë; ndërsa vetëm puthja është një lojë. Në këtë kuptim do të ishte më mirë për adoleshentët të vazhdonin “lojërat”, të shtynin sa më shumë aktin seksual dhe të mjaftoheshin me puthje, prekje, fërkime etj.

Në këto vargje ka edhe një paragjykim gjinor duke ngarkuar me faj vajzën për një akt seksual dhe djalin si personin që vetëm bën veprimin. Por, në këtë marrëdhënie të dy sekset janë njësoj veprues dhe njësoj përgjegjës për atë që bëjnë.

Edhe në realitetin tonë në Shqipëri ka një situatë të caktuar lidhur me përfshirjen e adoleshentëve në marrëdhënie seksuale.

a.r/NOA

KOMENTE