English

Ministria e Brendshme jep me qira helikopterët për dasma

Shkup, 23 gusht, NOA - Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë (MPB) ofron helikopterët e saj me qira edhe për ahengje dhe dasma familjare. Helikopterët e policisë për një orë për shfrytëzim mund të merren me qira prej 500 euro deri në 1500 euro.

Në tre dasma në rajonin e Tetovës, çifti bashkëshortor kishte arritur të shijojë shëtitjen me helikopter, pas shërbimit të paguar në konton e MPB-së.

Ky dikaster jep me qira helikopterët, për shkak se në Maqedoni akoma asnjë agjenci apo kompani private nuk ofron shërbime të tilla.

“Për shkak se nuk ka helikopterë privat, shumë qytetarë drejtohen tek ne për të shfrytëzuar shërbimet për nevojat e tyre festive. Në shumë raste helikopterët tanë shfrytëzohen edhe nga shtëpi produksioni dhe filmike”, ka theksuar zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski.

Sipas tij, rregullat janë që çdo palë nënshkruan marrëveshje me MPB-në për respektimin e rregullave dhe afatit kohor të shfrytëzimit.

MPB ka përjashtuar se këto shërbime mund të rrezikojnë sekretin shtetëror dhe këto mjete fluturuese, tek të cilët kanë qasje edhe personat civil.

NOA/INA

KOMENTE