Tiranë, 23 gusht, NOA – Ndërsa zona të tëra në ishujt grekë po digjen nga zjarret e rëna, përgjatë sezonit të verës, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave ka prezantuar sot një pasqyrë të situatës së zjarreve në pyjet dhe kullotat shqiptarepikërisht përgjatë tri ditëve të fundit, nga 21-23 gusht.
Sipas ministrisë së Mjedisit, zjarre janë vërejtur në disa qytete të vendit, si në Berat, Tropojë, Tepelenë, Delvinë Kukës, Korçë, Pukë dhe Sarandë.
Në këtë pasqyrë të situatës ministria e Mjedisit njoftoi se në Berat, ka patur shfaqje të zjarrit në 21 gusht, që dyshohet të jetë vënë qëllimisht, në një pyll pishash, zjarr i fikur plotësisht, pasi dogji 0.5 ha tokë.
Katër vatra zjarri ka patur të dielën rreth mbrëmjes në pyllin e komunës Bytyç të Tropojës, ku janë shfaqur katër vatra zjarri duke djegur rreth 3 ha tokë.
Policia dyshon se edhe ky zjarr ishte i qëllimshëm dhe rasti po hetohet në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.
Po kështu ministria ka evidentuar gjatë të dielës edhe një zjarr në ekonominë pyjore Dukaj-Luzat, ku një zjarr i qëllimshëm i vënë nga barinjtë e zonës ka marrë përmasa të ndjeshme nëpër pyjet duke bërë të vështirë ndërhyrjen për fikjen e tij.
Ndërkohë që për këtë rast ministria e Mjedisit nuk ka gjetur bashkëpunimin e kryetarit të komunës, dhe kanë qenë forcat e emergjencës civile, që kanë ndërhyrë për fikjen e zjarreve në këtë zonë.
Vatra zjarri janë shfaqur edhe në Delvinë, ku zjarri i përhapur nga Saranda ka hyrë në zonën e Delvinës në datën 22 gusht, në kullotat dhe pyjet e fshatit Dhrovjan, të komunës Mesopotam, ku janë djegur rreth 30 ha, ndërsa zjarri është fikur në mbrëmjen e të dielës.
Në 22 gusht, rreth orës 13, në ekonominë pyjore Topojan, ka patur shfaqje të zjarrit në një pyll të pishe, ku janë djegur 10 pisha.
Ende nuk dihen sipas policisë pyjore shkaqet e zjarrit.
Në rrethin e Korçës, në 21 gusht 2010, zjarre janë shfaqur në Qafën e Zvestës-Trestenik, në një pyll me shkurre ku janë djegur rreth 5 ha.
Në këtë zonë është bashkëpunuar dhe me forcat zjarrfikëse të shtetit grek pasi zjarri ka rënë në kufirin midis dy vendeve.
Zjarri ka përfshirë në 17 gusht, një nga ditët më të nxehta të kësaj vere, edhe pyjet e komunës Dhivër në ekonominë pyjore Vllazërim ka përshkuar rreth 200 ha pyll valanidhi pa dëm ekonomik, në ekonominë kullosore Livadhja–Vllazërim, ka përshkuar rreth 60 ha kullota, por pas ndërhyrjes është bërë e mundur që zjarri të fiket.
Në këtë rast policia pyjore dyshon se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht nga barinjtë e zonës.
Vatra zjarresh janë shfaqur edhe në Pukë, në pyllin e fshatit Krrabë-Bushat, në Gojan-Shkozë, ,një zjarr që dyshohet të jetë aksidental pasi ishte shumë afër zonës së banuar.
Autoritetet e Ministrisë së Mjedisit janë duke vëzhguar nga afër të gjitha pyjet e kullotat në vend në këtë sezon turistik, për të patur nën kujdes raste të mundshme zjarresh apo zjarrvënie.
Madje vetë ministria thekson se në shumë nga zonat e lartpërmendura ka hasur në papërgjegjshmërinë e banorëve dhe të autoriteteve lokale, të cilët nuk kanë dhënë ndihmë në fikjen e vatrave të zjarrit.
mit/NOA