Tiranë, 23 gusht, NOA – Një grup anglez që merret me menaxhimin e mbetjeve urbane ka prezantuar sot në një takim me kryeministri Sali Berisha teknologjinë për sigurimin dhe përpunimin e mbetjeve urbane, mbetjeve mjekësore, si dhe gomave e automjeteve të nxjerra jashtë përdorimit duke eliminuar grumbullimin e mbetjeve në Landfille dhe duke siguruar riciklimin dhe prodhimin e energjisë pas përpunimit dhe duke ruajtur mjedisin.
Në përbërje të këtij grupi janë kompania EHS Global Solutions, kompania Bollegraaf, kompania Lubo Systems dhe kompania Enpur, të cilat përfaqësoheshin nga drejtori ekzekutiv i EHS-së Global Solutions, Bill Findlay dhe drejtori i projekteve, Steve Gerry.
Gjatë takimit, përfaqësuesit anglezë i thanë kryeministrit se vendimi i grupit të kompanive për tu shtrirë edhe në Shqipëri ka ardhur si pasojë e tërheqjes së vëmendjes nga rezultatet e Shqipërisë në vitet e fundit në drejtim të lehtësimit të bërjes biznes dhe krijimit të një atmosfere shumë tërheqëse për investitorët e huaj.
Grupi anglez bëri prezantimin e impianteve të mëdha të përpunimit të ngritura nga ky grup, në Angli, Amerikë, Meksikë dhe po përgatit projekt-propozime për rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë.
Drejtori Ekzekutiv i Global Solutions, i shpjegoi shefit të qeverisë Berisha se “Zgjidhjet e tyre janë ambientaliste dhe efiçente”. Vetë kryeministri Berisha i falënderoi përfaqësuesit anglezë për projekt-idenë e paraqitur, si dhe i garantoi që ky propozim do të shqyrtohet dhe vlerësohet nga qeveria e tij me përparësi dhe konform ligjeve në fuqi.
Më tej, shefi i qeverisë, u shpreh se problemi i përpunimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane dhe spitalore është në qendër të interesit të qeverisë që drejton, pasi është i lidhur ngushtë me higjienën, turizmin dhe ambientin.
Andaj, kryeministri Berisha sqaroi bashkëbiseduesit se qeveria po bashkëpunon me pushtetin lokal për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë dhe efiçente kësaj çështjeje, që është një nga pikat kyçe për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
mit/NOA