English

Përplasja më armë te Blloku, identifikohet autori i plagosjes

Tiranë, 23 gusht, NOA – Brenda 12 orësh është bërë i mundur identifikimi i autorit të plagosjes që ndodhi dje në mbrëmje, në zonën më të populluar të Tiranës. Burime nga policia thanë për Agjencinë e lajmeve NOA, se protagonisti i sherrit me armë mes të rinjve në zonën e ish-Bllokut është 23 vjeçari Klaidi Ndue Gjeçi, lindur dhe banues në Tiranë.

Ngjarja ndodhi dje në orën 22:30 në një prej rrugëve të ish-Bllokut, kur dy grupe të rinjsh u konfrontuan me njëri-tjetrin për motive të dobëta.

Pas ofendimeve me fjalë, të rinjtë u përleshën fizikisht. Në këto momente Gjeçi ka nxjerrë pistoletën dhe ka gjuajtur një prej të rinjve të grupit tjetër, 18 vjeçarin Marinel Guri Llaze.

Gjeçi e ka qëlluar dy herë me pistoletë 18 vjeçarin. Llaze është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja dhe të shtënat shkaktuan panik në zonën e ish Bllokut, përkatësiht në rrugën "Ismail Qemali", duke qenë se ndodhi në një prej orëve kur zona është e mbipopulluar.

Autori i plagosjes është shpallur në kërkim nga policia.

a.k/NOA

KOMENTE