Graçanicë, 23 gusht, NOA – Ashtu sikundër ishte paralajmëruar policia e Kosovës ka marrë sot nën përgjegjësinë e vet mbrojtjen e Manastirit të Graçanicës, një akt i deleguar nga KFOR-i.
Burime nga policia kosovare njoftojnë se sigurimi i objekteve të Trashëgimisë Fetare Kulturore nga uniformat e policisë së Kosovës buron nga Ligji për trashëgiminë kulturore fetare dhe detyrimet e prejardhura nga propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, i hartuar nga Martti Ahtisaari.
Sipas policisë së Kosovës, pranimi i përgjegjësive për sigurimin e Manastirit të Graçanicës është një hap i madh në procesin e forcimit të përgjegjësisë së PK-së edhe për faktin se kjo polici do të ruajë tanimë zonat më të çmueshme kulturore dhe fetare në Kosovë.
Nisur nga ky akt, autoritetet e policisë kosovare mendojnë se ky veprim reflekton situatën e përmirësuar të sigurisë në Kosovë dhe besimin që KFOR-i ka në aftësinë e Policisë së Kosovës për ta përmbushur këtë detyrë të rëndësishme.
Policia e Kosovës, deri më tani siguron 174 objekte kulturore fetare, ndër të cilat 18 objekte me sigurim statik, ndërsa objektet tjera fetare mbulohen me patrullime.
Policia e Kosovës nënvizon se deri tani nuk është raportuar për asnjë incident sa i përket sigurimit të këtyre objekteve fetare.
Policia e Kosovës garanton sakaq se ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe profesionale që të marrë përgjegjësinë për sigurimin edhe të objekteve tjera fetare, të cilat vazhdojnë të jenë në përgjegjësinë e KFOR-it, duke siguruar njëherësh edhe zërat kundër, të përfaqësuesve të Kishës Ortodokse serbe, që kanë shprehur mosbesimin e tyre ndaj vënies së objekteve fetare të kultit nën mbrojtjen e policisë së Kosovës.
mit/NOA