Pukë, 23 gusht, NOA – Një zënkë banale mes tre bashkëfshatarëve në Qerret të rrethit të Pukës, për pak është kthyer në një tragjedi për gjithë familjen Pemaj.
Dy të rinj; Besim Selmani, 22 vjeç, lindur e banues në fshatin Micoj dhe Kujdes Aliaj, 22 vjeç, lindur e banues në fshatin Qerret të rrethit të Pukës kanë tentuar ta djegin të gjallë gjithë familjen Pemaj. Burime nga Policia e Qarkut të Shkodrës thanë për Agjencinë NOA se dy të rinjtë një ditë më parë i kanë vënë zjarrin derës së banesës së familjes Pemaj, pas një zënke që kanë pasur më parë me kryefamiljarin F. Pemaj, 42 vjeç.
Të rinjtë kanë zgjedhur dhe orarin për kryer veprën e tyre duke e vendosur zjarrin në orën 03:00 të mëngjesit.
Ndërkohë që kjo është tentativa e dytë e të rinjve për të djegur banesën e kësaj familje, të njëjtën gjë e kanë bërë dhe në 17 prill të këtij viti.
Fatmirësisht vendosja e zjarrit dhe flakët e para të tij janë ndjerë nga banorët e shtëpisë të cilët menjëherë kanë dalë jashtë dhe janë munduar ta shuajnë atë.
Por dëmet që ka pasur shtëpia kanë qenë të konsiderueshme. Policia është vënë në kërkim të dy të rinjve, të cilët e kanë të përsëritur ngjarjen duke qenë se dhe më parë kanë tentuar të djegin banesën e familjes Pemaj.
a.k/NOA