Tiranë, 23 gusht, NOA – “Presionet e tua zoti Rama, nëpërmjet bashkëmëkatarëve të tu, nuk do më bëjnë mua të hesht”.
Protagonistja e akuzave të ditës nga selia rozë, për korrupsion dhe konflikt interesi në lidhje me koncesionet për HEC-e, ka reaguar sot pasdite në përgjigje të disa deklaratave të PS-së, duke deklaruar se “Jam këtu, për të garantuar edhe një here, se do t’ju faktoj shqiptarëve, të gjitha aferat korruptive të Edvin Kristaq Ramës dhe sekserëve të tij. Do ta bëj këtë, si një detyrim madhor për transparencë ndaj opinionit publik shqiptar”, theksoi deputetja Vokshi.
Rishtas, sikundër edhe një ditë më parë, deputetja demokrate, i bëri thirrje kryebashkiakut Rama, “nëse nuk ke guxim, kurajo dhe burrërri, të ballafaqohemi në një debat televiziv me fakte dhe dokumenta, atëherë urdhëroji deputetët e tu të firmosim bashkarisht iniciativën për një komision hetimor parlamentar”.
Sipas zonjës Vokshi, ky komision do të bëjë një hetim të hollësishëm të të gjitha pasurive të saj dhe të personit me të cilin ajo bashkëjeton, pra Arian Tartarit, si dhe hetimin e pasurive të Edi Ramës dhe të personave me të cilët kryetari i Bashkisë ka bashkëjetuar dhe po bashkëjeton.
“E përsëris edhe njëherë! Në të kundërt do të më detyrosh të ndërmarr një iniciativë të njëanëshme për krijimin e këtij komisioni hetimor parlamentar pa ju”, apeloi deputetja Albana Vokshi, duke i kërkuar kryebashkiakut Rama, të cilin ajo e quajti si gjobëvënësin më të madh në Evropë sa i përket gjobave për çdo leje ndërtimi në Tiranë, që “Zoti Rama, mos u fshih pas sekserëve dhe bashkëmëkatarëve të tu bashkiakë, nxirre lepurin nga barku, dhe dil të faktosh akuzat”.
mit/NOA