Tiranë, 24 gusht, NOA – Në një tjetër dalje publike për çështjen e ditës, aferat korruptive të deputetes demokrate Albana Vokshi, Partia Socialiste reagoi ndaj deklaratave të ministrit të Ekonomisë, duke i rikujtuar atij, se “për t’i shpëtuar kësaj historie korrupsioni dhe konflikti interesash duhet vetëm transparencë e të gjitha kontratave dhe koncesioneve të dhëna nga ai dhe paraardhësi i tij, zoti Genc Ruli, aktualisht ministër i Bujqësisë.
Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj në një deklaratë të shkurtër për gazetarët theksoi se “përmes deklaratave të vetë të akuzuarve kuptuam se sa shpejt këta njerëz shesin njëri tjetrin”.
“Sot morëm edhe konfirmimin se akuzat e ngritura publikisht nga Partia Socialiste janë të vërteta. Kështu, siç kemi paralajmëruar, qenkan 6 hidrocentrale në kaskadën e lumit Kardhiq, dhe jo një siç pretendonte pronarja e hidrocentraleve, zonja Vokshi”, deklaroi zëdhënësja Imeraj.
Ajo i bëri thirrjë në këtë kontekst, kunatave dhe kunetërve të ministrave, sikundër kanë evidentuar ditët e fundit socialistët në akuzat e tyre, se “problemi nuk qëndron tek fakti se ata bëjnë biznes, por tek fakti se bizneset e tyre janë të ngritura mbi abuzimin me pushtetin dhe korrupsionin e kunetërve respektivë”, sqaroi për mediat zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj.
mit/NOA