English

Arrestohet Lulzim Kruja, vodhi me armë në një lokal në Vorë

Tiranë, 24 gusht, NOA – Policia e kryeqytetit ka prangosur sot pasdite 34 vjeçarin Lulzim Besim Kruja, i cili dy ditë më parë vodhi me armë një lokal në qendër të Vorës.

Në një konferencë për mediat zëdhënësja e policisë së kryeqytetit, Alma Katragjini shpjegoi se 34 vjeçari Lulzim Kruja dyshohet se dy ditë më parë ka vjedhur nën kërcënimin e armës dhe i maskuar disa shtetas që ndodheshin në mjediset e një lokali në Vorë.

Lidhur me ngjarjen pronari i lokalit kishte depozituar më herët sot në policinë e kryeqytetit kallzimin penal për 34 vjeçarin Lulzim Kruja, dhe falë hetimit të shpejtë dhe një operacioni profesional u mundësua që pas disa orësh të identifikohej, lokalizohej dhe arrestohej nga uniformat blu autori i vjedhjes me armë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një pjesë e parave të vjedhura, dy copë armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autori për të realizuar këtë vjedhje, një armë zjarri pushkë si dhe një pushkë sportive, të cilat i posedonte pa leje.

Aktualisht nga specialistët e seksionit kundër vjedhjeve me armë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës po punohet intesivisht për të dokumentuar të tjera vjedhje me armë të realizuara në Tiranë, ndërsa materialet iu dërguan prokurorisë për konsumimin e veprave penale të vjedhjes me armë, prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive në ngarkim të Lulzim Krujës.

mit/NOA
KOMENTE