English

Demokracia e Re: Maqedonisë i kanoset raport negativ nga KiE

Shkup, 24 gusht, NOA – Deputetja e partisë Demokracia e re në Maqedoni, Flora Kadriu ka deklaruar sot se “Maqedonisë i kanoset raport negativ nga Këshilli Evropian”.

Zonja Kadriu në një konferencë për mediat e ka mbështetur këtë vlerësim në faktin se Maqedonia nuk ka mbërritur të përmbushë kriteret e caktuara nga Komisioni Evropian dhe nuk ka ndërmarrë ndonjë hap serioz për t’iu përgjigjur pozitivisht vërejtjeve dhe kritikave nga raporti i fundit i KE-së.

Sipas saj, raporti i KE-së, për vitin 2010 do të konstatojë mungesë të dialogut të mirëfilltë politik, ngecje në implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe frymës së saj, ngadalësim të reformave në administratën shtetërore dhe publike dhe në sistemin gjyqësor.

Deputetja e Demokracisë së Re, tha se ky vlerësim në raport pritet të vijë pasi administrata shtetërore e Maqedonisë po punon nën ndikimet politike dhe partiake dhe sepse KE ka vërejtur ngecje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, mungesë të politikës së jashtme proaktive në drejtim të zgjidhjes së shpejtë të çështjes së emrit të Maqedonisë, e mjaft pika të tjera kyçe, të cilat janë kërkesat thelbësore për procesin e integrimit në Evropë.

Në këtë kontekst, partia Demokracia e Re, i ka bërë edhe më herët presion qeverisë që të nxitojë në implementimin e reformave në fushat e lartpërmendura, një presion i cili ka mbërritur në veshin e shurdhët të qeverisë, sipas zonjës Kadriu.

“Është moment i fundit që Qeveria dhe shumica parlamentare të bëhen të vetëdijshme për rëndësinë e proceseve integruese për Maqedoninë”, theksoi deputetja Flora Kadriu.

Sipas saj integrimi në Evropë dhe përmbushja e kritereve që lipsen për këtë proces duhet të jenë në majë të prioriteteve të qeverisë, pasi integrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, është e vetmja alternativë për të siguruar stabilitetin, paqen, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin dhe kohezionin ndëretnik për Maqedoninë dhe qytetarët e saj.

mit/NOA
KOMENTE