Shkup, 24 gusht, NOA - Eurodeputetja gjermane Doris Pack do të ngrejë kallëzim penal kundër presidentit të Maqedonisë, Gorge Ivanov lidhur me një deklaratë të tij të dhënë javën e kaluar.
Presidenti Gorge Ivanov ka thënë në një takim me gazetarët në Ohër, se në takimin e 15 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, eurodeputetja Pak i kishte bërë të ditur, se udhëheqja maqedonase në vitin 1995 duhej të pranonte ofertën e bashkësisë ndërkombëtare që të fillonin negociatat për anëtarësim në BE dhe NATO me referencën FYROM.
Eurodeputetja Pack në një prononcim të saj ka theksuar se asnjëherë nuk ka takuar Ivanovin dhe nuk ka dhënë deklarata të tilla.
“Ju lutem tia përcillni porosinë time që të tërheqë deklaratën e tij, për shkak se nuk kam deklaruar një gjë të tillë. Nuk kam biseduar me të dhe ai nuk mund të përmendë emrin tim. Nëse nuk e tërheq deklaratën, atëherë do të ngrej padi penale kundër tij. Nuk do të lejoj që asnjë president të keqpërdorë emrin tim për interesa personale dhe politike”, ka theksuar eurodeputetja gjermane nga radhët e demokristianëve (CDU) në Parlamentin Evropian, Doris Pack.
NOA/INA