Tiranë, 24 gusht, NOA – Pas deklaratave të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti se nuk ka asnjë shkelje ligjore në procedurat e dhënies me konçension për hidrocentrale, ka ardhur dhe reagimi i opozitës, duke i kujtuar ministrit pasurinë e deklaruar.
Deputetja Vasilika Hysi, ka deklaruar se firma që ka shitur ministri Priftit ka qenë me humbje dhe nuk justifikohet shitja për 1.8 milionë eurosh e aksioneve të saj. Për këtë qëllim Hysi ka kërkuar nga Drejtoria e Tatimeve që të pasqyrojë bilancin e kësaj kompanie.
“Teksa i lëmë kohë ministrave që të konsultohen me kunetërit për koncesionet, i kërkojmë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve që të publikojë bilancin për vitin 2009 të kompanisë së Dritan Priftit”, u shpreh Hysi.
Ajo theksoi se kompanie e shitur nga ministri “Fortis 2” është regjistruar në vitin 2007 me një kapital themelor, 1 milion lekë të vjetra. Sipas Hysit, bilancet e vetë kompanisë për vitet 2007 dhe 2008, nuk kanë realizuar as edhe një lek fitim, madje, rezulton që në këto dy vite humbjet të kenë qenë mbi 66 milion lekë.
“Si shpjegohet që 30.5% e aksioneve të kësaj kompanie me bilanc falimenti, që në dy vjet nuk ka prodhuar as edhe një tullë, nuk ka nxjerrë asnjë qindarkë fitim dhe ka një borxh prej rreth 7 milion eurosh shiten nga Ministri Prifti dhe blihen për 1.8 milion euro nga biznesmeni Rasim Hamzaraj, kushëriri i ministrit tjetër të LSI Petrit Vasili”, ka thënë Vokshi.
Ajo ka kërkuar sqarime nga ministri Prifti nëse “kjo është një blerje apo një ryshfet që i jepet ministrit Prifti për shërbimet e favoret që ka kryer si ministër i ekonomisë”.
a.k/NOA