Prishtinë, 24 gusht, NOA – Pas arrestimit prej plot një muaji të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepit, Kuvendi i Kosovës vendosi që kërkesën për shkarkimin e tij ta diskutojë pas pushimeve të verës, në vjeshtë.
Në një konferencë për shtyp, Kryetari i Kuvendit të kosovës, Jakup Krasniqi deklaroi se “kërkesën e bordit të BQK-së, kuvendi e mori qysh në sesionin e kaluar. Ne ia dërguam komisionit përkatës, andaj presim rekomandimet e tij dhe në seancat e para të sesionit të ri, Kuvendi i Kosovës do ta kryej obligimin e vet, që e ka me kushtetutë dhe me ligje”, theksoi kreu i Kuvendit të Kosovës.
Guvernatori i BQK-së, Hashim Rexhepi u arrestua më 23 korrik pasi ndaj tij rëndojnë plot gjashtë vepra penale, për korrupsion, shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, shmangie të tatimit, ushtrim të ndikimit dhe pastrim parash.
Gjykata e Kosovës ka vendosur tashmë edhe zgjatjen e afateve të paraburgimit për guvernatorin Rexhepi edhe për dy muajt në vijim.
mit/NOA