Tiranë, 24 gusht, NOA – Zbulimet e fundit arkeologjike në Apoloni të Fierit janë ndër më të rëndësishmet në 50 vitet e fundit. Pas statujës së burrit, që u gjet pak ditë më parë, dje ekspedita shqiptaro-franceze ka arritur të zbulojë dhe statujën e një gruaje.
Statuja është e të njëjtave dimensione me atë që u zbulua disa ditë më parë dhe objekti paraqet një grua aristokrate. Ndërkohë që statuja është e dëmtuar në pjesën e hundës dhe nuk është në gjendje mjaft të mirë.
Jo vetëm vendi ku janë gjetur, por edhe ngjashmëritë në punimin e statujave i kanë bërë ekspertët të mendojnë se mund të bëhet fjalë për një çift aristokratësh.Korrespodenti i Agjencisë NOA në Fier raporton se ky është mendimi i drejtuesve të ekspeditës.
Bashkëdrejtuesi ekspeditës, Francezi Jean-Luc Lamboley thotë se statujat mund t'i përkasin një familjeje të rëndësishme apoloniate.
Madje, ato mund të paraqesin edhe çiftin e pronarëve të vilës me Impluvium pranë së cilës janë gjetur dy statujat.
Megjithatë në studimin e arkeologjisë asgjë nuk është përfundimtare nëse nuk ka prova dhe fakte që e vërtetojnë hipotezën.
Statujat e zbuluara janë të parat e këtij lloji dhe përmasave në vendin tonë. E fundit e këtyre dimensioneve kanë qënë statujat e zbuluara nga ekspedita ruso shqiptare drejtuar nga prof. Selim Islami dhe ekspeditës ruse në fund të viteve ’50.
Zbulimi i statujave në këto momente dhe në këtë vend, sipas ekspertëve duket se lidhet me Luftën e Parë Botërore, ku banorët i kanë fshehur për të mos i marrë pushtuesit.
Vendosja e tyre në vend të fshehta dhe transportimi mund të ketë ndikuar dhe në dëmtimin e tyre, siç është rasti statujës që paraqet gruan.
Drejtuesit e ekspeditës thonë se Apolonia është thesar arkeologjik me vlera të pamata për të gjithë Mesdheun dhe se do të vazhdojnë kërkimet.
a.k/NOA