English

Turizmi, Xhaferraj: Do e kthejmë në industri kombëtare, edhe më shumë se 3.5 milion vizitorë në vit

Tiranë, 24 gusht, NOA – Turizmi, kjo industri e shpallur nga qeveria si një nga më fitimprurëset në ekonominë tonë nuk duhet parë më si një industri sezonale, por si një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.

Në mbledhjen me drejtuesit e institucioneve vartëse të MTKRS-së, ministri i Turizmit, Ferdinand Xhaferraj duke iu referuar rezultateve historike të turizmit këtë vit, për të cilat foli ditë më parë edhe kryeministri Sali Berisha ka dhënë për mediat statistikat zyrtare.

“Gjatë periudhës 1 janar-22 gusht 2010 kanë hyrë në Shqipëri 2 milion e 575 mijë vizitorë, nga këta 1 milion e 720 mijë janë vizitorë me nënshtetësi të huaj, 855 mijë janë vizitorë shqiptarë jo rezidentë”, deklaroi ministri Xhaferraj.

Sipas tij, duke u ndalur tek të dhënat për pikun e sezonit nga 1 korriku deri në 15 gusht, Shqipëria është vizituar nga 1 300 000 vizitorë krahasuar me 980 000 për të njëjtën periudhë të vitit 2009, çka do të thotë se në përqindje rritja është 32 %.

Ministri i Turizmit, ka nënvizuar se rritje të ndjeshme ka patur edhe turizmi kulturor ku sipas të dhënave rezulton se parku i Butrintit është vizituar nga 16 000 vizitorë kundrejt 13500 vizitorëve në 2009-ën, një rritje prej 14%.

Parkun e Apollonisë e kanë vizituar 2547 vizitorë kundrejt 1487 vizitorëve në vitin e shkuar, duke bërë që rritja e vizitorëve të jetë 70%.

Ndërsa Kalaja Rozafës ka patur plot 5225 vizitorë këtë vit kundrejt 3687 vizitorëve në vititn 2009, duke shënuar ndërkohë një rritje prej 42% të numrit të vizitorëve për këtë zonë të trashëgimisë kombëtare.

Në këtë kontekst sipas ministrit të Turizmit, arsyeja kryesore e rritjes së turizmit në Shqipëri ndryshimi i imazhit të vendit, anëtarësimi në NATO dhe progresi në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ministri ka përmendur këtu edhe zhvillimin e infrastrukturës turistike, që kap një gjeografi të gjerë që nga Valbona, Velipoja, Razma, Shëngjini, Patoku, Gjiri i Lalzit, Divjaka, Spilleja e deri në rivierën e mrekullueshme të Jugut të Shqipërisë, në rrugët që të çojnë nga Vlora në Sarandë dhe ato drejt plazheve të Jalit, Livadhit, Lukovës, Ksamilit e deri në parqet arkeologjike në Butrint, Finiq, Antigone.

Ministri i Turizmit kërkoi nga drejtuesit e institucioneve turistike që të vazhdojnë me intesitet shërbimin ndaj turistëve, pasi është tashmë prioritet i qeverisë kthimi i turizmit në një industri kombëtare, sikundër ndodh me Greqinë fqinje.

Ministri tha më tej se biznesmenë dhe pronarë hotelesh nga veriu në jug i kanë garantuar atij se do të uljin çmimet deri në 30% për muajin shtator, duke iu përshtatur dorazi edhe ofertave turistike si kudo në botën e qytetëruar.

”Këtë vjeshtë do të kalojmë edhe ndryshimet në ligjin për turizmin”, siguroi ministri, duke theksuar se partneriteti i ngushtë dhe intensiv me sektorin privat, janë çelësi i suksesit në turizëm”.

mit/NOA

KOMENTE