English

Vatra zjarresh përfshijnë kodra në Shkodër dhe Fier, terrene të vështira për zjarrfikësit

Shkodër, 24 gusht, NOA – Flakët e zjarrit kanë përfshirë sot kodrat pranë rrugës Shkodër-Muriqan duke u përhapur me shpejtësi dhe duke kërcënuar zonat e banuara përreth.

Burime zyrtare nga ministria e Mjedisit konfirmuan për agjencinë NOA se Zjarri është evidentuar në mesditë, pikërisht në fshatrat Oblike dhe Zus në zonën e Shkodrës.

Sipas burimeve zyrtare e menjëhershme ka qenë ndërhyrja e forcave të emergjencës kundër zjarreve, që kanë nisur në zonë tre zjarrfikëse, pasi flakët e zjarrit kërcënonin edhe disa shtëpi të fshatarëve të zonës.

Vatrat e zjarrit janë përhapur me shpejtësi, por e tillë duket të ketë qenë edhe ndërhyrja e forcave të shpëtimit, të cilët kanë evakuuar banorët e zonës, dhe i janë përveshur punës për mënjanimin e flakëve duke përdorur mjete rrethanore.

Mësohet se vatra zjarri janë vërejtur edhe në kodrat e potezës dhe të Plykut në Fier, ku zjarret kanë përfshirë dhjetëra ha ullishte e vreshta.

Mirëpo, si pasojë e terrenit të vështirë në shuarjen e zjarrit kanë ndërhyrë vetëm banorët e zonës, pasi automjetet e zjarrfikësit e kanë patur të pamundur të ngjiten për shkak të terrenit të thyer malor.

Dje ministria e Mjedisit bëri një pasqyrë të situatës së zjarreve në vend, ku sipas saj kërkohet ndërgjegjësimi i autoriteteve lokale në ndërhyrjen për shuarjen e tyre.

Ende nuk dihen shkaqet e zjarreve të sotme, ndërsa shumica e tyre shpesh herë shkaktohet me vetëdashje nga barinjtë e zonave.

mit/NOA
KOMENTE