Tiranë, 25 gusht, NOA – Shqipëria duhet të marrë masa konkrete për krijimin e infrastrukturës së përdorimit të gazit në të gjithë vendin. Në mbledhjen e radhës së qeverisë që po vijon këto momente, kryeministri Sali Berisha ka theksuar se duhet të krijohen të gjitha kapacitetet e duhura për shfrytëzimin e energjisë së gazit.
Në lidhje me këtë proces, i emërtuar nga kreu i qeverisë si proces i gazifikimit, Këshilli i Ministrave ka marrë sot dhe një vendim të posaçëm.
“Shqipëria është ndër vendet më të pakta që nuk ka një sistem tërësor të përdorimit të gazit nga konsumatorët, si një alternativë shumë të rëndësishme energjetike për çdo familje shqiptare dhe vendin në tërësi”, tha Berisha.
Ai është ndalur në progresin që ka përdorimi i gazit në vend, si një burim energjie më pak i kushtueshëm.
“Me këtë vendim hedhim hapa shumë të rëndësishëm për të ecur në mënyrë të pandalshme drejt procesit të përdorimit të gazit në të katër anët e vendit. Kërkime serioze kanë nisur dhe do të bëhen në vend për gazin, të dhënat e para në vend janë shumë inkurajuese”, tha ai.
Berisha ka përmendur dhe faktin se Shqipëria është një prej vendeve ku kryqëzohen disa prej projekteve të ndërtimit të gazsjellëseve. Ai foli për linjën Trans-Adriatike, i cili është një projekt që pritet të realizohet shumë shpejt.
Nga ana tjetër ai përmendi dhe faktin se nga linja e gazit që kalon nga Greqia në Itali, një degë e saj mund të kalojë në Shqipëri.
a.k/NOA