English

Dade: Të fillojë hetimi parlamentar për kutitë me materialet zgjedhore

Tiranë, 25 gusht, NOA – Partia Socialiste ka theksuar dhe një herë qëndrimin e saj për transparencën e zgjedhjeve. Pas deklaratave të kryeministrit Sali Berisha, në Konferencën e Ambasadorëve se qeveria është e gatshme të ofrojë konsensus për hetimin e zgjedhjeve duke respektuar ligjin, deputetja e PS-së Arta Dade deklaroi se në shtator duhet të nisë hetimi i materialeve zgjedhore.

“Partia Socialiste pret që me nisjen e punimeve të Kuvendit të fillojë hetimi parlamentar me hapjen e kutive të materialeve zgjedhore”, tha Dade.

Ajo theksoi se transparenca e plotë e zgjedhjeve të 28 qershorit i duhet Shqipërisë si mjeti për të siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme.

Nga ana tjetër ajo theksoi se problemet e Shqipërisë me zgjedhjet janë bërë një shqetësim dhe për vet Bashkimin Europian.

“Sali Berisha ta harrojë se ka më ndonjë shqiptar që e beson përrallën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të 28 qershorit. Edhe vetë ata që e kanë votuar Sali Berishën e dinë se zgjedhjet u vodhën. Madje, po t'i referohemi rezolutës së Parlamentit Europian, duket qartë se problemet e rënda me zgjedhjet e fundit në Shqipëri, janë një shqetësim tejet serioz dhe për Bashkimin Europian”, tha Dade.

Ajo theksoi se transparenca e zgjedhjeve duhet të bëhet që Ruzhdiet të mos përmbysin rezultatin e vendosur nga populli. “Opozita e ka ofruar kompromisin e saj në mbështetje të plotë të ligjit e me vullnet për zgjidhjen e krizës”, tha Dade.

Nga ana tjetër ajo ka përsëritur dhe qëndrimin se PS-së për largimin e qeverisë.

“Sali Berisha duhet të hapë menjëherë kutitë, ose përndryshe duhet të largohet pa rritur më tej kostot ekonomike e sociale të qëndrimit të tij mbi karrigen e pushtetit të vjedhur”, përfundoi Dade.

a.k/NOA

KOMENTE