Prishtinë, 25 gusht, NOA – Veriu i Kosovës do të jetë në qendër të ruajtjes së sigurisë nga KFOR-i, ka deklaruar sot në një konferencë për shtyp, komandanti i forcave të KFOR-it në Kosovë Markus Bentler duke theksuar se në këtë pjesë të Kosovës ka potenciale për dhunë mes serbëve dhe kosovarëve pikërisht për kundërshtitë lidhur me çështjen e Kosovës.
I pyetur nga gazetarët lidhur me rrezikun e dhunës në Veri, Bentler u shpreh se “Mendoj se ekziston. Mund t’i shikoni statistikat e incidenteve të dhunshme ku janë përdorur armët në maj, qershor dhe korrik, por ka pasur edhe më parë. Pra, nëse shikohen këto statistika mund të gjeni se me çfarë ndërlidhen. Është e qartë se ndërlidhen me çështjen e pazgjidhur dhe kjo i shtyn disa njerëz të shprehin dallimet në mes vete me masa të dhunshme”, theksoi komandanti i KFOR-it.
Gjenerali u bëri thirrje banorëve në veri të Kosovës që të përmbahen, duke shtuar se nuk e zgjidh çështjen “përdorimi apo kokteji i molotovit, granatave të dorës dhe gjërave të tjera”.
Të 10 mijë trupat e KFOR-it në Kosovë, siguroi Bentler do të kenë prioritet pikërisht pjesën veriore të Kosovës.
Situata sipas tij po monitorohet dhe mbikëqyret mirë pasi Kosova dhe Serbia janë në prag të mbledhjes së radhës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, aty ku do të diskutohet mbi shtetësinë e Kosovës dhe rezolutën serbe kundër saj.
Komandanti i KFOR-it, nënvizoi se rezoluta 12 44 vazhdon të mbetet korniza vepruese e misionit të NATO-s në Kosovë.
Gjatë kësaj konference Bentler diskutoi edhe për kalimin e përgjegjësive për mbrojtjen e monumenteve kulturore e fetare serbe te Policia e Kosovës.
Sipas tij der tani Policia e Kosovës ka marrë përgjegjësinë nga KFOR-i për të ruajtur Monumentin e Gazimestanit dhe Manastirin e Graçanicës, mandej në varësi të situatës së sigurisë, pritet që të kalojnë nën sigurinë e policisë së Kosovës edhe manastiri i Budisavcit, i Gorioçit dhe Zoçishtes.
Gjenerali Markus Bentler konfirmoi se synimi i KFOR-it është kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës, por sipas tij ende nuk ka një vendim të NATO-s, sa i përket ruajtjes së katër monumenteve të tjerë, si Patrikana e Pejës, Manastiri i Deçanit, i Deviçit dhe Kryeëngjëjve, një vendim që Bentler siguroi gazetarët se do të bëhet publik në mënyrë transparente, të hapur dhe graduale.
mit/NOA