English

Kosovë, 7 të arrestuar për krim të organizuar, vodhën mëse 150 000 Euro me kartat bankare të falsifikuara

Prishtinë, 25 gusht, NOA – Shtatë persona të dyshuar për krim të organizuar dhe keqpërdorim të kartave bankare, me të cilat kanë përfituar mbi 150.000 mijë euro janë prangosur sot nga Policia e Kosovës në Prishtinë.

Ka qenë departamenti special i antikorrupsionit bashkë me atë kundër krimit të organizuar që kanë realizuar një operacion policor, i cili nisi hetimin për krim të organizuar prej së paku një vit e gjysmë më parë.

Të arrestuarit e këtij operacioni policor, që nuk identifikohen me emra por vetëm me iniciale nga policia e Kosovës për arsye të hetimeve të mëtejshme, janë 22 vjeçari nga B. B. ; 20 vjeçari L. B.; 23 vjeçari B. G.; 29 vjeçari A. A.; 23 vjeçari F. A.; 40 vjeçari Xh.H. dhe 40 vjeçari F. K., që të shtatë të arrestuarit nga rajoni i Prishtinës.

Burime zyrtare nga Policia e Kosovës thanë për agjencinë NOA se gjatë këtij operacioni janë bastisur 18 lokacione të ndryshme në rajonin e Prishtinës, me qëllim të kapjes dhe arrestimit të personave të dyshuar dhe mbledhjes së provave dhe dëshmive, që ndërlidhen me krimin e organizuar duke keqpërdorur kartat bankare të falsifikuara apo duplifikuara.

Sipas policisë nga keqpërdorimet bankare personat në fjalë fillimisht dyshohet të kenë vjedhur një shifër parash prej mëse 150.000 mijë euro.

Policia e Kosovës bën të ditur se personat e dëmtuar nga këto vjedhje me karta krediti janë kryesisht të huaj.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara policia e Kosovës ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale disa laptop, kompiuterë, televizorë, USB, CD të ndryshme, pajisje teknologjike, me të cilat janë prodhuar kartat bankare të falsifikuara, një numër kartash të falsifikuara, pajisje për leximin e kartave bankare, telefona celularë, dy armë gjuetie, katër revolverë të kalibrave të ndryshëm, një sasi të vogël municionesh dhe dokumentacionin që identifikon krimin e kryer nga personat e dyshuar.

Sipas policisë së Kosovës shtatë të arrestuarit janë dërguar në qendrën e paraburgimit, ndërsa operacioni i Policisë së Kosovës për hetimin e kësaj çështjeje është ende në zhvillim e sipër dhe priten edhe arrestime te tjera.

mit/NOA

KOMENTE