English

PD: Edi Rama të publikojë emrat e partnerëve dhe transparencën e pasurisë

Tiranë, 25 gusht, NOA –Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka i kërkoi kryebashkiakut Edi Rama të bëjë publikë emrat e partnerëve të tij gjatë 12 viteve të fundit, të bëjë transparencën e pasurisë së vendosur në emër të tyre, e të mos fshihet në kutinë e Leprit.

Selia blu i është përgjigjur me këtë thirrje deklaratave të Partisë Socialiste, duke deklaruar se projekti për betonizimin e sipërfaqes U12-07 tek Liqeni artificial i Tiranës, është masakra e fundit urbane e kryebashkiakut Edi Rama, apo zotit 20 përqind sikundër njihet nga deputetët e pozitës kryetari i bashkisë.

“Sipërfaqja, me kod U12-07 e parashikuar për 130 mijë m2 ndërtim, e në një lartësi prej 30 katesh, është masakra e fundit urbane, që Mr. 20% ka ideuar, në zonën më të bukur të kryeqytetit”, theksoi në një konferencë për shtyp deputeti Paloka.

Sipas zotit Paloka, 90% të këtij projekti mostër prej betoni, siç e quajti ai ndërtimin që pritet të ngrejë krye në të vetmin park të gjelbër të kryeqytetit, Mr.20%, apo kryebashkiaku Rama ia ka akorduar firmave të Lepujve, që kanë lidhje me të.

“Nuk mund të heshtim për 20%-in e lejeve të ndërtimit, që Kryetari i Partisë së Leprit ia shton pasurisë së tij në emër të Dritan Avllaj, i njohur si Tan Lepri, si dhe në emër të partnerëve të tij”, tha zoti Paloka.

Deputeti demokrat, shprehu shqetësimin e qytetarëve të Tiranës, për “projektin e shkatërrimit të së vetmes zonë të gjelbër të mbetur pranë Liqenit të Tiranës, nga Kryetari fukara dhe i pa shtëpi i Bashkisë së Tiranës”.

“Unë bashkë me qytetarët e Tiranës, që duam të jetojmë këtu, të rrisim fëmijët në këtë qytet,

Nuk mund të pranojmë e aq më pak të heshtim para kësaj batërdije”, nënvizoi deputeti Edi Paloka.

mit/NOA

KOMENTE